Komuna e Tetovës vendosë kamera për të incizuar qytetarët e papërgjegjshëm që hedhin mbeturina
Janë shqiptuar dënime të shumta në pak muaj në Tetovë për mosrespektim të pastërtisë publike. Edhe pse shpesh rezulton që koshat e plehrave të jenë bosh, rreth tyre ka mbeturina të shumta, sidomos mbetje inerte. Për të parandaluar hedhjen e mbetjeve të forta vend e pa vend, komuna e Tetovës ka vendosur kamera sigurie nëpër disa pika kritike.
“Sa iu përket dënimet e shqiptuara për disa qytetarë që hedhin mbetje inerte, tetë janë lëshuar, ndërsa 35 janë në procedurë për tu lëshuar si dhe 60 vërejtje për qytetarët që janë lëshuar nga inspektorati komunal në shenjë paralajmërimi. Tashmë në pikat kritike ku bëhet grumbullimi i mbetjeve, kemi vendosur edhe kamera të sigurisë. Fjala është për kontejnerët afër rrugës “KRD”, afër shkollës së muzikës, në Çarshi të epërme, tek stadiumi i vjetër dhe tek shkolla e mesme tekstile”, tha Besarta Ramadani, zëdhënëse e komunës së Tetovës.
Sipas autoriteteve komunale në vend se mbetjet inerte të hidhen kudo, banorët duhet të telefonojnë ndërmarrjen komunale, e cila shkon nëpër shtëpitë e tyre për ti grumbulluar.
Rruga për në Kodër të Diellit, konkretisht këtu para varrezave të qytetit, është pika ku më së shumti janë të koncentruar inspektorati por edhe vendosja e kamerave, shkaku se, këtu më së shumti hidhen mbetje inerte, edhe atë jo në kontejner ku e kanë vendin, por jashtë tyre.
Ditë më parë në Tetovë u hap pika e re për grumbullimin dhe selektimin e materialeve të forta, në dalje të qytetit. Ndërkohë kompania Saubermacher ka njoftuar se shërbimi për mbetjet e forta është pa pagesë, ndërsa mjafton që qytetari t’i ketë paguar me rregull faturat për mirëmbajtjen e pastërtisë publike./Alsat.mk