BallinaMaqedoni

Balancuesi, ish-kreu i Kushtetueses kritikon vendimin

Gjykata kushtetuese, me vendimin për përfaqësimin e drejtë etnik, shkeli në mënyrë direkte parimet e Kushtetueses, praktikat e vendosura më herët nga Gjykata si dhe normat ndërkombëtare, tha ish kreu i Gjykatës dhe deputet i Frontit Evropian Sali Murat.

Ai në intervistë për Alsat tha se gjykata më herët ka sjell disa herë vendime në favor të përfaqësimit të drejtë etnik.

“Në mandatin tim si kryetar i Gjykatës Kushtetuese kemi vendim brilant për një lëndë në vitin 2020 ku Gjykata Kushtetuese kur ishte kontestuar vendimi i Akademisë për gjykatës dhe prokurorë publik në trajnimin e kuadrove dhe aty thamë se akademia ka të drejtë. Në konkurs nuk ishte theksuar përqindja e bashkësive etnike por Akademia ishte kujdesur të respektohen ligjet për përfaqësim të drejtë etnik”, tha Sali Murat, deputet i Frontit Evropian, ish kryetar i Kushtetueses.

Murat sheh shumë politikë në vendimin e gjykatës, gjë që thotë se nuk duhet të jetë puna e tyre.

“Gjykata, në rastin konkret nuk e ka vlerësuar kushtetutshmërinë por sipas meje, ka vepruar politikisht sepse dispozitat kushtetuese nuk interpretohen ashtu. Të drejtat dhe liritë i cakton pragu i poshtëm, ligjet, pragu më lart nuk kufizohet. Keqpërdorimet në zbatimin e ligjit nuk janë kompetencë e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata kushtetuese i shikon ligjet bazuar në Kushtetutën, a është një çështje e parashikuar me Kushtetutë dhe përfaqësimi i drejtë etnik parashikohet me Kushtetutë”, theksoi Sali Murat, deputet i Frontit Evropian, ish kryetar i Kushtetueses.

Murat njoftoi se është duke përgatitur ligj të ri për përfaqësim të drejtë etnik në kuadër të grupit parlamentar të Frontit Evropian.

Ai nuk zbardhi detaje por tha se zgjidhja e re duhet të fokusohet te operacionalizimi i dispozitës për përfaqësim të drejtë duke parashikuar sanksione dhe përgjegjësi për drejtuesit e institucioneve.

Si përfaqësues i bashkësisë turke në vend, Murat tha se vendimi i gjykatës do ta përkeqësojë situatën kur edhe ashtu, përfaqësimi i turqve nëpër institucione nuk është më i lartë se gjysma e kuotës së nevojshme.

Ai u ankua se pushteti aktual nuk ka asnjë përfaqësues turk në ekzekutiv, as në nivel të sekretarëve shtetëror dhe të drejtorive si dhe as në trupat e emëruara nga presidentja. Murat ka qenë 9 vite në Kushtetuese, kurse kryetar nga vitit 2019 deri në vitin 2021./ Alsat.mk