Kush e paditi Maqedoninë për arratisjen e Blerim Ramadanit? VLEN-i thotë se nënkryetari i BDI-së, Ademi mohon
Një kallëzim penal për arratisjen e ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani, tashmë është deponuar në Prokurorinë Themelore Publike të Maqedonisë së Veriut. Padia i vë në shënjestër ministrin e Punëve të Brendshme të shtetit maqedon, Pançe Toshkovski, dhe drejtorin e Byrosë së Sigurisë Publike, Aleksandar Janev, të cilët akuzohen për “organizim kriminal” duke e lejuar arratisjen e Ramadanit për në Kosovë.
VLEN-i, koalicioni shqiptar që e udhëheq, bashkë me VMRO-në, Maqedoninë e Veriut, thotë se kallëzimin penal e ka bërë Arbër Ademi, nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, që drejtohet nga Ali Ahmeti. Megjithatë, në një prononcim për Nacionalen, Ademi ka mohuar se ka dorëzuar kallëzimin penal, duke e quajtur këtë akuzë “gënjeshtër e njerëzve me lidhje të UDB-së”.
Kallëzimi penal – autori në kërkim
Ndonëse ende nuk i dihet autori, kallëzimi penal ekziston dhe është deponuar në Prokurorinë e Maqedonisë së Veriut. Në një përgjigje për Nacionalen, shërbimi për marrëdhënie me publikun i Prokurorisë Themelore Publike të Maqedonisë e ka konfirmuar ekzistencën e kallëzimit penal në lidhje me arratisjen e ish-ushtarit të UÇK-së.
“Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, konfirmon që lidhur me arratisjen e Blerim Ramadanit është krijuar lëndë në bazë të kallëzimit penal të paraqitur dhe në bazë të paraqitjes po veprohet aktivisht në procedurë para hetuese” – ka thënë kjo prokurori, e cila, duke u thirrur në konfidencialitetin e hetimeve paraprake, nuk ka lejuar qasje në kallëzimin penal.
Megjithatë, VLEN-i “e di” autorin e këtij kallëzimi penal. Sipas Rijad Shaqirit, deputet i VLEN-it, autor i kallëzimit penal është Arbër Ademi, zyrtar i lartë i BDI-së dhe ish-funksionar në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.
“Po, është e vërtetë që ka një kallëzim penal nga ana e Arbër Ademit për Ministrinë e Punëve të Brendshme, kryesisht për personat udhëheqës, gjoja se nuk e kanë ushtruar detyrën zyrtare për ta penguar ish-ushtarin e UÇK-së, që të qëndrojë brenda Maqedonisë së Veriut. Ata brenda ditës krekosen duke thirrur për t’i mbrojtur ish-ushtarët e UÇK-së, ndërsa, në anën tjetër, për poena të ulët politikë bëjnë manovrime të tilla, që nuk u ka hije” – vazhdoi Shaqiri.
Megjithatë, këto akuza i ka mohuar Ademi. Në një prononcim për Nacionalen, Ademi i ka cilësuar “gënjeshtër e kulluar” akuzat, duke theksuar se vetë ai e kishte kërkuar lirimin e Ramadanit nga arresti.
“Lajm i rrejshëm është. Gënjeshtër e kulluar. Ju falënderoj shumë dhe mirë që po i verifikoni gjërat. Kjo është shpifje e kulluar. Përkundrazi, unë kam mbajtur presse [konferenca për shtyp] dhe paraqitje publike, ku kam thënë që ai duhet të lirohet, siç janë liruar të gjithë ushtarët e UÇK-së gjatë kohës sonë në pushtet” – tha Ademi.
I pyetur nëse qëndron prapa një e-maili të siguruar nga Nacionale dhe kallëzimit penal, Ademi mohoi se është email-i tij.
“Nuk është e-maili im. Kjo është gënjeshtër e njerëzve me lidhje të UDB-së. Unë jam kritikues i nacionalizmit maqedonas. Shërbëtorët e tyre mund të vazhdojnë të merren me konstruksione të tilla. As që bëhet fjalë. Është gënjeshtër e pastër” – ka shtuar Ademi.
Në e-mailin e siguruar nga Nacionale, të cilin e ka mohuar Ademi, ushtrohej kallëzim penal ndaj dy zyrtarëve maqedonas “për planifikim, organizim dhe asistencë në arratisjen e personit të lidhur me terrorizëm dhe organizata terroriste, i cili kërkohet me urdhër arrest ndërkombëtar, pasi të njëjtit kanë krijuar organizim kriminal dhe kanë lejuar që personi Blerim Ramadani të arratiset nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës”.
Shaqiri nuk heq dorë nga qëndrimi i tij, duke vlerësuar se BDI-ja e ka bërë këtë padi për “akrobacionet e tyre politike”.
“Padinë e kanë bërë për akrobacionet e tyre politike, sepse në anën e tyre duhet të demonstrohet se gjoja se koalicioni VLEN nuk është i interesuar t’i bëjë punët në favor të shqiptarëve, gjoja se veç ata janë të interesuar për shqiptarët. Ka një retorikë që nuk është e mirë që e shfrytëzojnë. Sigurisht se është për t’u befasuar nga ana e një shqiptari, kur paraqitet një padi e tillë, mirëpo për njerëz të llojit të tij, besoj se janë të njohura veprimet e tyre politike. Në të kaluarën kanë bërë veprime edhe më të poshtra, duke burgosur shqiptarë, duke montuar raste të caktuara politike, kur sot e kësaj dite ende kemi njerëz që vuajnë burgje padrejtësisht” – tha ai.
Sjellim ndër mend që Blerim Ramadani, ish-ushtar i UÇK-së, ishte arratisur nga Maqedonia e Veriut muaj më parë, pasi ishte ndaluar për shkak të një urdhërarresti ndërkombëtar, i lëshuar nga Serbia. Arratisja e tij ishte bërë temë e madhe në Maqedoni të Veriut, duke i përplasur opozitën dhe pushtetin.
Marrë nga Nacionale