Lumi i Kumanovës vazhdon të mbetet i ndotur

Ky është lumi i Kumanovës i quajtur ndryshe edhe si lumi i Madh. Banorët e kësaj komune shprehen të revoltuar për gjendjen dhe mbeturinat të cilat mbizotërojnë në këtë lum. Njëri nga qytetarët i cili po peshkonte, për TV21 tha se në vend të peshqve kapin mbeturina.

“Ne muajt e verës është katastrofë, lumi është i ndotur kështu që nuk mund të dalim për rekreacion. Nuk e di se si vjen deri te kjo por qytetarët tanë dhe mentaliteti jonë i tillë bën që të hedhin mbeturina, papastërti fizike, mbeturina të kafshëve, material ndërtimore kështu që lumi është mjaft i ndotur fizikisht”, tha një qytetar.

Qytetarët kërkojnë masa urgjente për pastrimin e lumit, por edhe mirëmbajtjen e tij, ndërsa për banorët të cilët janë të papërgjegjshëm dhe ndotin ambientin të shqiptohen dënime.

“Sugjerimi im është të punohet pak në vetëdijesim, të kemi disa emisione për ruajtjen e mjedisit dhe të ndërhyjë pak edhe ligji, madje të vendosen disa gjëra mbrojtëse si rrjeta që papastërtitë të jenë në një vend për tu mbledhur ose është mirë që të vendosen kamera në mënyrë që ai që e bën këtë të dënohet”, u shpreh qytetari.

“Lumi duhet të pastrohet, tjetër asgjë. Ka një erë të keqe, kjo duhet të pastrohet, përndryshe pjesa parkut është mirë”, shtoi një qytetar tjetër.

Qytetarët gjithashtu thonë se lumi dhe parku rreth tij janë pastruar disa here nga komuna, por shumë shpejt kthehet ë gjendjen e njëjtë. TV21 kërkoi qëndrim nga komuna se a do të merret ndonjë masë, por deri në këto momente nuk morëm përgjigje.