BallinaMaqedoni

Ndërron jetë në Shkup foshnja 1 vjeçe nga Goshinca e Likovës, babai akuzon mjekët

Një foshnjë e gjinisë femërore 14 muajshe ka ndërruar jetë herët në mëngjes sot në Klinikën për sëmundje të fëmijëve në Qendrën klinike “Nënë Tereza” në Shkup.

Siç bëjnë të ditur burime që punojnë në Klinikë, foshnjës disa herë i është refuzuar shtrimi në spital, edhe pse prindërit e kanë dërguar në spital vazhdimisht.

Prindërit, duke parë se iu refuzua trajtimi spitalor, e dërguan në Klinikën e Kozles, nga ku gjendja e foshnjes u përkeqësua dhe vetëm më pas u shtrua në reanimacionin e Klinikës së Fëmijëve.

Këtë për “Slloboden Peçat”, përveç disa punonjësve, e ka konfirmuar edhe babai i vajzës së ndjerë, R.S.

Ai tha për se ka një video incizim të një mjeku, të cilin e ka incizuar mbrëmë në Klinikën e Fëmijëve, në të cilën e pyet mjekun nëse fëmija i tij mund të shpëtohej nëse do të ishte shtruar në kohë në spital, ndërsa mjeku i ka dhënë përgjigje pohuese.

Babai ka qenë jashtëzakonisht i mërzitur dhe siç na ka treguar vetë, mëngjesin e sotëm ka thyer kompjuterin me kokë në Klinikën e Fëmijëve, pas së cilës ka ardhur edhe policia. Sipas fjalëve të tij, ai ka gjetur mirëkuptim nga punonjësit e policisë, pasi edhe ata kanë pyetur pse foshnja nuk është shtruar në kohë në spital.

Në një bisedë telefonike babai shtoi se trupi i foshnjës është dorëzuar për autopsi dhe se do të ndjekë penalisht përgjegjësit e kësaj tragjedie. Burime nga klinika jozyrtarisht thonë se foshnja është pranuar me takikardi të rëndë, me saturim 70 për qind apo pengesa në frymëmarrje, dhe diagnoza e dhënë ishte bronkit, pra bronkopneumoni masive.

– E kemi çuar tri herë në Klinikën e Fëmijëve, gjatë gjithë kohës na kanë thënë, dërgoje në shtëpi, dërgoje në shtëpi, dërgoje në shtëpi. Më pas nga Kozle, ku më kanë mbajtur vajzën, e kanë transferuar në Klinikën e Fëmijëve për shtrim. Sot në mëngjes rreth orës pesë nuk kanë thënë se çfarë po ndodh, nuk kanë dhënë asnjë informacion. Vetëm shoh se është e ndjerë. Me vëllanë ishim tre ditë aty, gjatë gjithë kohës na thanë që është mirë dhe çojeni në shtëpi, nuk ka nevojë ta mbajmë këtu. Unë kam një incizim të mjekut ku e pyes nëse e kishit mbajtur fëmijën tim këtu, do të kishte shpëtim për të dhe ku thotë: “Shpëtim kishte, por nuk u pranua”. Policia ka qenë sot në mëngjes, se kam thyer kompjuterin me kokë në stres të plotë, çfarë presin, të sjellin lule?, tha babai i vajzës së ndjerë 14 muajshe, R.S.

Ai shton se kur të përfundojë autopsia do të nisë procedurat ligjore.

Drejtori i Klinikës Dr. Rexhep Memedi i pyetur nëse janë të sakta informacionet se mjekët e reparteve të tjera të spitalit janë në shërbim në reanimacion, me specialitete të ndryshme dhe nëse kanë trajnim të mjaftueshëm për intubacion dhe procedurat më komplekse për të shpëtuar jetën e fëmijëve, Memedi tha se ka qenë kështu për 20 vjet dhe vazhdimisht kujdes intensiv ishin mjekët e departamenteve të tjera.

“Për këtë pjesë, që i referohet organizimit të brendshëm, vendosin drejtuesit e departamenteve. Mjekët nuk i kam në shërbim në reanimacion, njëzet vjet më parë kanë qenë në shërbim nga repartet tjera”, tha doktor Memedi.

Ministria e Punëve të Brendshme dha detaje për ngjarjen .

“Sot, më 05.10.2024, SPB Shkup ka raportuar se rreth orës 04:50 në Klinikën e Fëmijëve në Qendrën Klinike Nënë Tereza, V.S. (29) nga fshati Goshincë dhe vëllai i tij B.S. (35) nga fshati Goshincë, ka dëmtuar inventarin në spital pasi vajza njëvjeçare e V.S. e cila sipas raportit është sjellë në spital nga Shërbimi i Urgjencës Mjekësore rreth orës 03:45. Po merren masa për zbardhjen e ngjarjes”, shpjegoi MPB.