BallinaMaqedoni

VLEN: Ndryshimet skandaloze të Kodit Penal janë virus në sistemin gjyqësor

Koalicioni VLEN ka reaguar pas informacioneve se Nikolla Gruevski shpëton plotësisht nga vuajtja e dënimit me dy vjet burg për rastin “Tanku”, për blerjen e “Mercedesit” luksoz.

“Me intervenim të drejtpërdrejtë të BDI në ndryshimet e Kodit Penal, Nikolla Gruevskit, kryeministrit të mëparshëm dhe politikanit të dashur të Ali Ahmetit, i skadon edhe një dënim me burg”, thuhet ne reagimin e VLEN-it.

Sipas VLEN-it, kjo është edhe një gozhdë e Ahmetit në arkivolin e padrejtësisë të cilën e instaloi regjimi i tij 22 vjeçar.

“Pas marrëveshjes së turpshme të Prokurorisë “Abazovite” me Ixhet Memetin, kjo udhëheqësi e kriminalizuar arriti të realizojë edhe një amnisti.

Kjo fiasko i sistemit të fëlliqur juridik është një tjetër konfirmim i virusit të Ahmetit të instaluar prej vitesh në drejtësi, ku pushtetarët e tyre kanë ndërtuar një mur mbrojtës rreth vetes, duke shpëtuar njëri-tjetrin nga përgjegjësia gjyqësore.
Kjo nuk është hera e parë që BDI, në krye me Ali Ahmetin, ndërhyn për të shpëtuar shokët e tij nga burgu. Të njëjtën lojë më herët kanë bërë edhe për arkitektin e vuajtjeve të shqiptarëve, ish-drejtorin e DBK, Sasho Mijalkov.
BDI-ja, një parti që për dekada manipulon popullin me premtime për reforma dhe integrime evropiane, është vrasësi i çdo shprese për drejtësi dhe një ardhmëri më të mirë”, thuhet ne reagimin e VLEN-it.

“Të gjithë e dinë presionin e Artan Grubit ndaj kryetares së Gjykatës Supreme për ringjalljen e abolicioneve të Gjorge Ivanovit, gjoja për të ushtruar presion ndaj VMRO-DPMNE për të kaluar ndryshimet kushtetuese.
Është koha që qytetarët e këtij vendi të kuptojnë njëherë e mirë: BDI nuk ka qenë asnjëherë për ëndrrën e madhe evropiane, por sabotatori i saj. Ata janë përgjegjësit kryesorë për mungesën e progresit dhe për largimin e Maqedonisë së Veriut nga rruga evropiane.
Në vend se të luftojnë për drejtësi dhe prosperitet, ata luftuan vetëm për të mbrojtur klanet e tyre kriminale, pa dallim etnie apo përkatësie.
Koalicioni VLEN u bën thirrje të gjithë qytetarëve të ndërgjegjshëm të bashkohen në luftën tonë për një të ardhme më të ndershme dhe transparente.
Përballë kësaj tradhtie ndaj vlerave evropiane, ne jemi të përkushtuar të çmontojmë çdo element të kësaj strukture të kalbur dhe të ndërtojmë një shtet të bazuar në ligj, barazi dhe drejtësi për të gjithë”, mbyllet reagimi i VLEN-it.