Abetarja unike edhe në vatrat kombëtare Sllupçan e Hotël
Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Skender Asani, ditën e mërkurë, pas shkollës fillore “Bajram Shabani” të Kumanovës dhe shkollës “7 Marsi” të Opajës, vazhdoi me shpërndarjen e Abetares së unifikuar edhe në dy shkolla tjera të Komunës së Likovës. Ai me kolegët e Institutit dhe drejtuesit e shkollave, ishte në shkollat e fshatrave Sllupçan dhe Hotël, ku u pritën me entuziazëm nga nxënësit dhe stafet e shkollave.
“Abetaren mbarëkombëtare sot e sollëm edhe në mesin e nxënësve të shkollës fillore “Faik Konica” të fshatit Sllupçan – Orizare të Komunës së Likovës, si dhe në shkollën fillore “A.Z.Çajupi” të fshatit Hotël.
Janë këto dy vatra që kombit tonë i kanë dhënë shumë dëshmorë dhe krenari kombëtare gjatë gjithë historisë. Gjeneratat e reja që do të rriten në frymën e denjë mbarëkombëtare, janë ardhmëria jonë më e sigurt!”, është shprehur Asani./Q. Bajrami