Toshkovski dhe Iseni në Likovë, për herë të parë qytetarët do të fotografohen në Mateç për dokumentet personale
Sot në Njësinë policore në Mateç në komunën e Likovës, ministri i punëve të brendshme Pançe Toshkovski dhe zv/ministri Astrit Iseni, hapën Zyën e re të shërbimeve administrative të MPB-së, e cila do të mundësojë qasje më të shpejtë të qytetarëve të Likovës në shërbimet e MPB-së. Bashkë me ta ishte edhe kryetari i komunës, Erkan Arifi.
Hapja e zyrës, transmeton Lideri.mk, e cil është e dyta me radhë brenda pak ditësh, si pjesë e një sërë të tjerash që do të hapen, ka për qëllim që qytetarët të kenë qasje më të shpejtë në dokumentet dhe shërbimet që u nevojiten.
“Sot këtu në Mateç të Likovës po hapim zyrën e re të shërbimeve administrative të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila do të jetë pjesë përbërëse e njësisë policore. Ky lloj projektesh synojnë të mundësojnë shërbim më të mirë dhe qytetarë më të kënaqur, të kenë mundësi t’i marrin shërbimet e tyre në kuadër të komunës ku jetojnë. Këtë të drejtë deri më sot qytetarët e Komunës së Likovës e ushtronin në kuadër të Komunës së Kumanovës dhe nga sot do të mund t’i realizojnë të drejtat e tyre në kuadër të komunës së tyre, me çka do të ketë ulje të turmave në Komunën e Kumanovës”, u tha gjatë hapjes së zyrës.
Kjo është zyra e dytë për vetëm pak ditë, e para ishte në Jegunoc, do t’u mundësojë qasje më shumë se 25.000 qytetarëve nga rajoni i Likovës, nxjerrjen më të shpejtë të dokumenteve personale dhe shërbimeve që ofron MPB-ja. Qasja më e shpejtë dhe më efikase në shërbime është cilësi më e mirë e jetës për qytetarët, që është përcaktimi i udhëheqësisë së re të MPB-së.