Zëvendëskryeministri i parë Mexhiti: Pensionet u rritën!
Pensionistët do t’i marrin pensionet e tyre me rritje prej 2500 denarësh, nga ky shtator. Këtë lajm e ka publikuar sonte Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
Ai mëtej ka thënë se Koalicioni VLEN ka realizuar një ndër premtimet kryesore të platformës së saj – rritjen e pensioneve, kështu duke u përkushtuar për të siguruar një pleqëri më dinjitoze për pensionistët.
“Takimi im i fundit me pensionistët, i mbajtur para dy muajsh, ishte momenti ku shpallëm këtë lajm të mirë. Dhe nga ky shtator, ata do të përfitojnë rritjen e parë të pensioneve prej 2500 denarësh, ndërsa faza e dytë e rritjes, gjithashtu prej 2500 denarësh, do të hyjë në fuqi në mars të vitit 2025.
Kjo rritje u mundësua falë votimit PRO të deputetëve tanë në seancën e sotme të Kuvendit, duke miratuar Ligjin për rritje lineare të pensioneve”, është shprehur Mexhiti.