Opinion

Pse burokratët në Bruksel dhe në Washington po duan ta reinkarnojnë figurën e Vuçiqit në kufomën e Millosheviqit?!

Nga: Emin Azemi

Kushdo që del kundër Vuçiqit, qoftë opozita në Beograd, qoftë Kurti në Prishtinë, nuk kanë kurrfarë mirëkuptimi dhe miratimi në Bruksel dhe në Washington. S’do mend se Perëndimi po e dëshiron një Kosovë pa Albin Kurtin në krye dhe një Serbi me prorusin, Aleksandër Vuçiqin – president. Ky i fundit po sheh te veprimet politike e institucionale të Kurtit rrezik për mosrealizimin e “botës serbe”. I bie që mbështetës të tërthortë të këtij projekti të rrezikshëm hegjemonist serb janë edhe disa burokratë në Bruksel dhe në Washington. Po opozita e Kosovës si po sillet ndaj këtyre huqeve që po i bëhen vendit të tyre?

Çdo veprim legjitim i Qeverisë së Kosovës që ka të bëjë me shtrirjen e sovranitetit në veri të vendit, ka tre kritikues të mëdhenj: Beogradin, bashkësinë ndërkombëtare dhe opozitën vendore. Reagimet që vijnë nga Brukseli dhe Washingtoni në adresë të Qeverisë së Kosovës, janë produkt i një politike konstante, por të paarsyeshme, të Perëndimit ndaj çështjeve të ndjeshme që ndërlidhen me raportet Kosovë-Serbi. Sipas kësaj politike (që vlen kryekëput vetëm për Kosovën), të gjitha çështjet e hapura në mes të dy vendeve duhet të zgjidhen përmes dialogut, e jo përmes veprimeve që mund të jenë burim tensionesh e incidentesh në veri të Kosovës. Kjo vendosje absurde e simetrisë së fajeve dhe përgjegjësive e ka trimëruar Beogradin tej mase në ndërmarrjen e veprimeve edhe të armatosura destabilizuese, prandaj edhe pas ndërhyrjes brutale në Banjskë, Brukseli dhe Washingtoni kanë vazhduar ta përkëdhelin Gebelsin e vogël të Ballkanit – Aleksandër Vuçiqin, duke ia toleruar të gjitha politikat proruse dhe prirjet e tij autokratike për të sunduar pa alternativë politike. Ata – Parisi, Washingtoni, Berlini, që deri dje ishin modele të demokracisë parlamentare, në rastin e Serbisë po duan të rishkruajnë rregulla të reja duke e zëvendësuar demokracinë me autokraci dhe duke e ngulfatur opozitën për llogari të një pinjolli politik millosheviqian.

Në anën tjetër, ky qëndrim “pragmatik” dhe i paarsyeshëm i Perëndimit ndaj Kosovës ka ardhur duke u modifikuar varësisht se cila strukturë politike udhëheq me pushtetin në Prishtinë. Tani, kur Qeverinë e drejton Albin Kurti, qëndrimet e Perëndimit janë më të ashpra, sepse në qendrat ndërkombëtare të vendosjes ka burokratë që mendojnë se të gjitha vendimet politike të Kurtit që kanë të bëjnë me veriun e Kosovës, duhet paraprakisht të filtrohen në Bruksel dhe në Washington.

Në qendrat ndërkombëtare të vendosjes ka burokratë që pretendojnë se, jo opozita në Beograd, por politikat qeveritare të Kurtit po e rrezikuakan ardhmërinë millosheviqiane të Vuçiqit, prandaj një sahat e më parë Kosova duhet të shpallet një vend problematik dhe kush guxon ta drejtojë atë sipas frymës sovraniste, rrezikon të humbasë mbështetjen e këtyre burokratëve (!). Sipas këtyre qendrave, kurrfarë mandati legjitim në Prishtinë që buron nga vota e popullit, nuk mund të prodhojë politika sovraniste në veri të Kosovës.

Çuditërisht, sa më të forta bëhen kritikat e opozitës serbe ndaj politikave autokratike të Vuçiqit, për shkak se ky i fundit e ka shndërruar vendin e tij në një moçalishte të njëmendësisë radikale, po aq më të ashpra janë edhe qëndrimet e Perëndimit ndaj politikave të Albin Kurtit sa i përket menaxhimit politik e institucional të veriut të vendit. Kushdo që del kundër Vuçiqit, qoftë opozita në Beograd, qoftë Kurti në Prishtinë, nuk kanë kurrfarë mirëkuptimi në Bruksel dhe në Washington, të cilët pasi e iniciuan themelimin e Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, janë bërë shumë pishman që e hoqën qafe satrapin Millosheviq. Prandaj qëndrimet e tyre cinike nuk janë asgjë tjetër pos një përpjekje e dështuar alkimike që në kufomën e Millosheviqit të reinkarnojnë me ngjyra proruse figurën e Vuçiqit… Për rrjedhojë, po del që diplomatëve të huaj nuk iu pengon fare një politikan autokrat e prorus si Vuçiqi, i padëshiruar nga opozita, por iu pengon një politikan si Kurti, i cili po mundohet t’i zhvillojë politikat e tij qeveritare të cilat i kishte premtuar para se t’i fitonte zgjedhjet. Kurti kritikohet edhe për çështjet të cilat kishin qenë objekt marrëveshjesh të Brukselit, siç është edhe ajo për hapjen e Urës së Ibrit, ose ajo për targat, por ai sërish satanizohet dhe shpallet hiq më pak se antiamerikan.

Sipas kësaj logjike i bie që jo Vuçiqi, por Kurti qenka burimi i të gjitha të këqijave, prandaj ai duhet të paraqitet në media sa më i urryer në mënyrë që popullariteti i tij të bie dhe për pasojë, në zgjedhjet e ardhshme të pësojë fiasko.

S’do mend se Perëndimi po e dëshiron një Kosovë pa Albin Kurtin në krye dhe një Serbi me Vulinin- zv.kryeministër dhe Aleksandër Vuçiqin – president. Pse? Sepse ky i fundit, siç mund të thonë cinikët, po koordinohet fuqishëm me Perëndimin kur po e shtyp opozitën dhe mediat e lira në vendin e tij, po koordinohet fort me Perëndimin kur po refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë, po koordinohet fort me Brukselin dhe Washingtonin kur linjat ajrore Moskë-Beograd dhe anasjelltas, funksionojnë papengueshëm për bartjen e oligarkëve rusë që ndodhen në listat e zeza amerikane, po koordinohet fort me Perëndimin kur eterin e Serbisë e ka shndërruar në poligon propagande për mediat ruse (Russia Today, Sputnik etj.) që për çdo ditë e helmojnë publikun me retorikë anti-Nato, e anti-ShBA. Cinikët pastaj po thonë se Vuçiqi po koordinohet fort me Perëndimin pasi ende nuk ka bërë një hap minimal në gjetjen e mbi njëmijë kufomave të shqiptarëve që ndodhen nëpër gropat e mbuluara me asfalt.

Pse Kurti nuk po e merr Vuçiqin si model? Pak a shumë ky është mesazhi i diplomatëve të huaj i mbështjellë me një cinizëm banal kur adresojnë kritika për çështje të pastra si loti, të cilat fare mirë ishin trajtuar dhe kishin marrë udhë juridike në marrëveshjet paraprake të Brukselit dhe këto marrëveshje kanë mjaftuar t’i shërbejnë Kurtit si bazë mbi të cilat janë koordinuar edhe veprimet e tij politike e institucionale. Kurrfarë veprimi i tij nuk është jashtë këtyre marrëveshjeve, ndonëse Vuçiqi shikon te këto veprime të Kurtit rrezik për mosrealizimin e “botës serbe”. A po shndërrohen edhe disa diplomatë në Bruksel dhe në Washington në sponzorizues të tërthortë të këtij projekti hegjemonist serb, i cili është një laborator fantastik për prodhimin e dodikëve të rinj në këto hapësira?!

Në anën tjetër, Beogradi marrëveshjet në Bruksel i nënshkruan për të mos i zbatuar, por kjo nuk mjafton që Vuçiqi të konsiderohet jobashkëpunues me Perëndimin. Përkundrazi, ai edhe shpërblehet për politikat e tij proruse e prokineze. Për presidentin francez Emmanuel Macron, Vuçiqi, ndonëse i padëgjueshëm e prorus, është një djalosh simpatik, dhe për pasojë e meriton të pajiset me fluturake ushtarake “Rafale”, sepse në këtë mënyrë nesër do ta ketë më lehtë të bëjë ndonjë luftë të vockël me NATO-n në krah të Rusisë (!).

Ndaj gjithë këtij diskursi diplomatik perëndimor për çështje të pambyllura shqiptaro-serbe dhe ndaj rrezikut serb për ta destabilizuar Kosovën, si po sillet opozita dhe një pjesë e gazetarëve dhe analistëve në Prishtinë?

Kur opozita e Kosovës ka dalë me një listë kërkesash, përfshirë edhe ekstradimin e Radojçiqit në Kosovë, përmes të cilave do t’i bëhej trysni politikës serbe në Beograd që të heqë dorë nga skenarët destabilizues dhe nga përpjekjet për ta shndërruar Kosovën problem të brendshëm të Serbisë?!
Kur opozita e Kosovës e ka kryer një obligim minimal moral ndaj shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, me kërkesën drejtuar diplomatëve të huaj që statusi i këtyre shqiptarëve të ketë trajtim të barasvlefshëm me statusin e serbëve në Kosovë?!

Kur opozita e Kosovës ka iniciuar ndonjë pakt të përkohshëm bashkëpunimi me opozitën serbe në Beograd për shpalljen e politikanëve Vuçiq, Vulin, Daçiq etj. si burim i të gjitha të këqijave që mund t’i ndodhin Ballkanit?!

Kur opozita e Kosovës ka përgatitur një dosje të trashë me material inkriminues që do ta bënin përgjegjëse Serbinë para gjykatave ndërkombëtare për krimet monstruoze të kryera në Kosovë gjatë viteve 1998/99, por edhe më herët?!

Jo. Opozita e Kosovës nuk ka ndërmarrë deri më tani asnjë prej veprimeve të sipërpërmendura. Përkundrazi, ajo është marrë vetëm me Albin Kurtin, dhe mendimin e vet politik opozitar nuk po e ndërton mbi diskursin e brendshëm politik, që duhet ta ketë, por mbi qëndrimet e diplomatëve të huaj, edhe atëherë kur ata e kanë gabim.

Opozita e Kosovës, në mungesë të alternativave dhe kauzave të saj, e ka gjetur mënyrën më të lehtë për ta goditur Kurtin me grushtet e huazuara nga diplomatët e huaj.

Dhe kjo është mënyra më e lehtë e të bërit opozitarizëm, sepse të gjithë ata që e kundërshtojnë Amerikën dhe Serbinë, sipas opozitarëve të Prishtinës, janë hiq më pak se armiqtë të Kosovës. Në dioptrinë e kësaj pikëpamjeje sipërfaqësore del që Albin Kurti është armiku më i madh i Kosovës. Pse? Sepse ai nuk po koordinohet me aleatët perëndimorë në favor të Serbisë para se të ndërmarrë veprime të caktuara në veri të Kosovës.

Në Prishtinë, politikanët bien nga pushteti, jo prej votës së popullit, por prej presionit të diplomatëve të huaj dhe ky është defekti më i madh i opozitës e cila më tepër merret me regjistrimet e gabimeve të Kurtit në noteset e ndërkombëtarëve, se sa me problemet reale që ka Kosova, për të cilat përgjegjës janë edhe opozitarët e tanishëm që dje ishin në pushtet.

Nuk është në natyrën e opozitarizmit që të pajtohet me çdo veprim të qeverisë, por nuk është edhe normale që çdo dëm që i bëhet Kosovës nga ana e Serbisë të shikohet me syzat e ndërkombëtarëve. Jo pak politikanë të opozitës dhe një pjesë e madhe e gazetarëve dhe analistëve janë shndërruar në vëzhgues ndërkombëtarë dhe e kanë braktisur misionin e tyre të shenjtë të kundërshtimit të zgjidhjeve të dëmshme që bëhen në kurriz të Kosovës, që si pikënisje e kanë procesin e zhbërjes së butë të sovranitetit shtetëror të Kosovës dhe rinegocimin e statusit të saj, duke e shndërruar Kosovën në një paralagje problematike të Ballkanit, ku vetëm kërcënimet serbe për destabilizim mund ta kthejnë atë nga rruga e shtetformimit të njëmendët.

Mund t’i kuptojmë burokratët në Bruksel dhe në Washington për qëndrimet e tyre ‘pragmatike’ ndaj çështjeve të hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë, sepse në hartat e tyre të mëdha gjeopolitike e gjeostrategjike Kosova mund të duket një pike e vogël, por është totalisht e pakuptueshme që opozita në Kosovë të luaj rolin e patericave të ambasadorëve të huaj, për çfarëdo çështje që bie ndesh me interesat jetike të Kosovës dhe me tolerimet absurde që i bëhen Serbisë. Është absurd madje ta mendosh se në Prishtinë ka ende politikanë opozitarë që heshtazi pajtohen me shantazhet e Perëndimit që i bëhen Kurtit, jo për të mirën e Kosovës, por vetëm e vetëm që ky i fundit të hiqet nga gara e konkurrimit politik.

Në perceptimin diplomatik del se vetëm kjo Serbi destabilizuese po i pengon vetëm Kurtit, por jo edhe opozitarëve dhe shumicës së analistëve në Prishtinë, dhe përderisa është kështu, atëherë Kosova duhet të ndëshkohet me masa sanksionuese, kurse Kurti të shpallet politikan i padëshirueshëm në zyrat e vendimmarrjes politike ndërkombëtare.

Ky disponim antiKurti është i mirëseardhur për opozitën, tani në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, dhe çdo aksion politik i Qeverisë së Kosovës, që ka të bëjë me veriun e vendit, tash e tutje nga opozita do të lexohet me syzat e mjegulluara të ndërkombëtarëve, paçka se në ato syza Kosova herë paraqitet si vilajet i errët i Ballkanit, herë si krijesë e Ahtisaarit me shtetësi të papërfunduar.

Kështu ndodh kur dioptrinë politike e rregullojnë sipas disa syzave të mjegulluara, kurse aksionin politik e mbështet në grushtet e huazuara prej ndërkombëtarëve(!).