Iseni dhe Ganiu takime të shumta zyrtare në Inegjol të Turqisë, mes tyre edhe me zyrtarë me prejardhje shqiptare
Në kuadër të vizitës punuese në Republikën e Turqisë, sv/ministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni njoftoi se së bashku me Kryetarin e Komunës Çair Visar Ganiu, kanë zhvilluar takime me përfaqësues të shumtë të fushave të ndryshme, të policisë, komunave, sportit, biznesit etj.
Në takim me Drejtorin e policisë së Inegjol-it Okan Shen është biseduar për lehtësimin e procedurave të lejeqëndrimeve në RMV të shtetasve turq, për funksionimin dhe bashkëpunimin e policive të dy vendeve, si dhe pjesmarrje në trajnime të përbashkëta.
“Ishte krenari pjesëmarrja jonë në inaugurimin e parkut që mban emrin e komandantit legjendar Adem Jashari në Inegjol të Republikës së Turqisë dhe falemnderim të veçantë për kryetarin e kësaj komune z.Alpar Taban si dhe Kryetarin e Shoqatës Rumeli Dernegi Serkan Ay.
Gjithashtu , vizituam ambientet e klubit ,,InegolSpor’’ ku u mirëpritëm nga kryetari i klubit Abdurrahman Maksutlar, i cili është me prejardhje shqiptare.
Njëherit, kisha rast të takohem edhe me kryetarin e komunës Odunpazar z.Kazim Kurt dhe nënkryetarin e Tepebaşı Suat Yalnızoğlu bashkë me anëtarin e Këshillit komunal Erdoğan Aydoğmuş.
Me kryetarët e komunave biseduam për mundësinë e thellimit të bashkpunimit të ndërsjellë, me dhomat industriale prej të cilave disa prodhojnë edhe pjesë për automjete të policisë dhe ushtrisë biseduam për mundesinë e donacioneve dhe investimeve kapitale në Republikën e Maqedonise së Veriut”, njoftoi Iseni.