BallinaMaqedoni

Përse ligji për gjuhët shqyrtohet në këtë moment? Nuk ka përgjigje nga Gjykata Kushtetuese!

Nuk ka një përgjigje të qartë pse Gjykata Kushtetuese nuk pati miratuar për 5 vjet me radhë një vendim për lëndën me interes të lartë shoqëror, e cila konteston Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Arsyet, sipas Kushtetueses, janë vëllimi i madh i lëndës dhe pensionimi i gjykatësve. Në përgjigjet e kësaj gjykate, pas një sërë pyetjesh të dërguara nga ALSAT, thuhet se vitin 2022 kishin miratuar vendim që lëndët për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe lëndët për Marrëveshjen e Prespës dhe Komunikimet Elektronike të mos vendosen në rend dite derisa nuk kompletohet e tërë përbërja e Gjykatës Kushtetuese.

“Pasi Gjykata Kushtetuese u kompletua, në vitin 2023 është miratuar edhe një konkluzë që lëndët të vendosen në rend dite në shtator/tetor 2023, duke pasur parasysh faktin se këto tri lëndë janë më të vjetra dhe në to punohet për disa vite, ndërkaq në periudhën e kaluar edhe gjyqtarët edhe këshilltarët që kanë punuar kanë shkuar në pension”, njoftojnë nga Gjykata Kushtetuese.

Megjithatë, përveç kësaj, në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese thuhet se gjykatësit që kanë punuar në këto lëndë, kanë kërkuar kohë shtesë pasi ishin ankuar se ato ishin voluminoze.

“Pas ndryshimit të udhëheqësisë në Gjykatën Kushtetuese, kryetari dr. Darko Kostadinovski paralajmëroi se do të mbajë llogari që të shkurtohet koha e procedurave dhe do t’i vendos në rend dite të gjitha lëndët që do t’i dorëzohen nga gjykatësit, Ligji për Komunikim Elektronik është vendosur në rend dite të seancës së 25 shtatorit, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve do ta propozojë për në rend dite në seancën në fillim të tetorit, menjëherë sapo të dorëzohet nga gjykatësi raportues”, thonë nga Gjykata Kushtetuese.

Në pyetjen, nëse për Kushtetuesen është më e rëndësishme që të miratohet vendimi për Ligjin apo të mos nxitë destabilizim edhe ashtu të paralajmëruar, nga Gjykata Kushtetuese thonë se vendimi nuk duhet të shihet si kërcënim.

“Vendimet e Gjykatës nuk duhet të shihen si kërcënim kundër askujt apo diçkaje, as si vendime të cilat i rrisin ose zvogëlojnë të drejtat dikujt. Ato duhet të pranohen dhe të jenë pikë referimi, kornizë për veprim në pajtueshmëri me konstatimet e Gjykatës për të gjitha pushtetet e tjera”, njoftojnë nga Gjykata Kushtetuese.

Në pyetjen nëse intervista në të cilën u paralajmërua vendosja në rend dite e Ligjit për Përdorimin e Gjuhës ishte e porositur, Kushtetuesja shmang përgjigjen, vetëm se citon kryetarin Kostadinovski se mbetet në qëndrimin se të gjithë aktorët duhet të kenë më shumë pjekuri demokratike dhe kulturë kushtetuese, juridike dhe politike.

Ndryshe, prej vitit 2001 deri në vitin 2018 ka shërbyer si këshilltar i presidentëve të shtetit, Boris Trajkovski, Branko Crvenkovski dhe Gjorge Ivanov. Darko Kostadinovski, prej 11 janarit të vitit 2018-të është anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ndërkaq prej 4 qershorit është kryetar i Kushtetueses.

Një vit pasi u bë anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ai u kritikua pasi mbronte vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e përkohshëm të moratoriumit për ndërtim në Komunën Qendër, e cila, favorizonte kompanitë ndërtimore. Gjatë seancës, ku u diskutua për këtë çështje, Kostadinovski, ka deklaruar se moratoriumi është i paligjshëm dhe duhet të pranohet iniciativa e ndërtuesve.

Në vitin 2021 ai ishte në shënjestër të kritikave për shkak se në rrethana të konfliktit të interesit, ka votuar për iniciativën e klientëve të bankës Eurostandard të falimentuar. Gjegjësisht ai kishte relacione miqësie me Kosta Kostovskin, djalin e Trifun Kostovskit, i cili ishte aksionari më i madh në këtë bankë. Kostadinovski ka pranuar relacionet e miqësisë, por nuk është tërhequr nga votimi. Antikorrupsioni asokohe e ftoi që ta paraqiste konfliktin e interesit.

Kostadinovski, është në shënjestër të kritikave pasi, si rrufe në qiell të hapur, pas pesë vitesh, paralajmëroi debatin për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. /Alsat.mk