Opinion

Ismet Jashari-Luftëtari i paepur i çështjes kombëtare


Prof. dr. Minir Ademi, ITShKSh-rShkup

Njëri ndër personalitetet e rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, e njohur si Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës, në vitet 80-90 të shekullit të kaluar ishte Ismet Jashari. Lindi në fshatin Orizare të Kumanovës më 16 prill të vitit 1967.

Ishte i biri i Jashar dhe Nurie Jasharit. Ai rridhte nga një familje me vlera të larta atdhetare. Dy vëllezërit e tij më të mëdhenj, Xhemajli dhe Murati, zhvillonin veprimtari kombëtare. Ata kishin përkrahur kërkesat e bashkëkombësve në Kosovë, të shprehura në demonstratat e mars-prillit të vitit 1981. Për këtë arsye ishin arrestuar dhe dënuar nga regjimi i atëhershëm jugosllav. Veprimtaria dhe angazhimi i tyre në shërbim të çështjes kombëtare patën ndikimin edhe në formimin e personalitetit të Ismetit. Që në moshë të re, ai ndoqi gjurmët e vëllezërve të tij më të mëdhenj. Pasi mori mësimet e para në shkollën fillore të vendlindjes, Ismet Jashari regjistrohet në shkoll;n Ekonomike të Kumanovës, në vitin 1982.

Por, për shkak se vinte nga një familje atdhetare, organet e pushtetit të atëhershëm shtetëror maqedonase e pëtjashtuan në vitin e dytë me çka ai u detyrua të vazhdonte shkollimin e mesëm në Preshevës në drejtimin e maqeneris ku edhe përfundoi.
Për shkak të ndjekjeve dhe presionit të vazhdueshëm të pushtetit jugosllav, ashtu si shumë veprimtarë të tjerë të çështjes kombëtare edhe Ismet Jashari detyrohet të emigroj në Zvicër, aty ku jetonin dhe vepronin edhe shumë atdhetarë të tjerë shqiptarë. Atje, vazhdoi veprimtarinë atdhetare, në kushte dhe rrethana të reja. Asokohe ishte në kontakt të vazhdueshëm me vëllezërit, Muratin e Xhemajlin, si dhe me shumë bashkëveprimtarë të tyre, të cilët zhvillonin aktivitet propagandues çlirimtar. Në Zvicër dhe vende të tjera evropiane ai mori pjesë në shumë tubime, demonstrata e organizime të ndryshme në përkrahje të çështjes kombëtare.

Ismeti i takon brezit militant atdhetar, i cili gjithmonë veproi në mbështetje të idesë për t’iu kundërvënë me forcë pushtuesit. Ai, së bashku me bashkëmendimtarët nuk reshti kurrë në veprimtarinë e tij atdhetare për krijimin e kushteve për luftë të armatosur kundër pushtuesve të trojeve etnike.
Ismeti ishte ndër të parët që mori pjesë në themelimin e fondit “Vendlindja thërret”, i cili u bë bazë kryesore e logjistikës dhe e financimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjithashtu, menjëherë pasi filluan luftimet midis UÇK dhe ushtrisë e policisë pushtuese serbe, ai vendosi që të shkonte në Kosovë, për të marrë pjesë drejtpërdrejtë në frontin e luftës.

Menjëherë pas epopesë së Prekazit, të 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, atdhetari i përkushtuar i luftës çlirimtare, Ismet Jashari bën përgatitjet e fundit për të hyrë në Kosovë. Më 11 mars të po atij viti, ai, bashkë me Fehmi Lladrovcin, Xhevë Lladrovcin, Mirush Dakën, Bekim Berishën, Agim Bajramin, Fatmir Limajn, Haxhi Shalën e të tjerë, futet në zonat ku po vepronte Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe vendoset në Likoc të Drenicës, ku asokohe ndodhej baza më e rëndësishme e saj.
Me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari u ngarkua me detyrë ushtarake në zonën e Llapushës, me qëllim të zgjerimit dhe konsolidimit të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare.
Që në mars të vitit 1998, Ismet Jashari me bashkëmendimtarët dhe bashkëluftëtarët e tij: Fatmir Limajn, Haxhi Shalën, Sadik Shalën e të tjerë, formojnë njësitin ushtarak “Çeliku”, me bazë në Kleçkë. Që në fillim të përfshirjes së tij në Luftën e Kosovës, për shkak të konspiracionit, Ismetin, bashkëluftëtarët e thërrisnin me emrin Kumanova.

Ismeti me bashkëveprimtarët e tij ishin luftëtarët e lirisë që reflektonin shpresë dhe frymëzim për të gjithë ushtarët dhe popullatën civile.
Në prill të vitit 1998, Ismet Jashari i ngarkuar me detyrë ushtarake ndodhej në Dukagjin. Gjatë kthimit nga atje për në Kleçkë, ra në pritë të forcave serbe te vendi i quajtur Guri i Zi, në mes të fshatrave Volljakë e Çupevë të Klinës. Me atë rast ai plagoset në të dy këmbët. Kur luftëtarët e lirisë arritën ta merrnin nën kontrollin e tyre Grykën legjendare të Llapushnikut, më 9 maj të vitit 1998, Ismet Jashari, ende pa u shëruar sa duhet, mori pjesë aktive në barrikadimin e kësaj gryke, e cila u bë barrierë e pathyeshme për forcat armike deri më 27 korrik të po atij viti.

Pas zënies së asaj pike tejet të rëndësishme strategjike, Ismet Jashari me bashkëluftëtarët e tij iu afrohet pikave të tjera po aq me rëndësi, në Qafë të Dulës dhe në Grykë të Carralevës. Në periudhën kohore prej fillimit të majit e deri në mbarim të gushtit të vitit 1998, Ismet Jashari- Komandant Kumanova, Fatmir Limaj- komandant Çeliku, Haxhi Shala- komandant Topi, Shukri Buja- komandant Sokoli e shumë luftëtarë të tjerë të dalluar, përforcuan të gjitha pikat ushtarake në pjesën jugore të Drenicës, duke filluar nga Llapushniku e deri në Qafë të Dulës, prej Arllatit e deri në Bllacë dhe prej Komoranit e deri ne Blinajë.
Në ofensivën e forcave pushtuese serbe të 25 dhe 26 korrikut të vitit 1998, në Grykë të Llapushnikut dhe në fshatin Zborc afër Grykës së Carralevës, Ismet Jashari me bashkëluftëtarët e tij, Imer Alushani, Gani Kastrati, Nuhi Mazreku, Ali Zogaj, Habib Zogaj e shumë të tjerë, luftuan heroikisht në mbrojtje të pozicioneve ushtarake të UÇK-së. Heroizmi i tij në fushëbeteja bëri që emri i komandant Kumanovës asokohe të bëhej burim frymëzimi për luftëtarët e lirisë jo vetëm në Drenicë e Llapushë, por në mbarë Kosovën.
Fakti se në luftën e lavdishme për çlirimin e Kosovës luftonin edhe luftëtarë nga trojet shqiptare në Maqedoni, përforconte jo vetëm moralin e ushtarëve por njëkohësisht i jepte shpresë popullatës civile (e cila, për të mbijetuar nga granatimet serbe, kishte gjetur strehë në pyje e në gryka malesh), se dita e çlirimit të tokës së Kosovës do të ishte e shpejt.

Më 23 gusht të vitit 1998, pasi ushtria serbe kishte ndërmarrë të gjitha masat për të depërtuar në drejtim të Kleçkës, ku ndodhej edhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari organizon rezistencën në pikën e tij të pamposhtur, në Bajrak të Luzhnicës. Atë ditë forcat serbe kishin granatuar me të gjitha llojet e armëve të rënda të artilerisë pozicionet e komandant Kumanovës, i cili printe në ballë të kundërsulmit mbi forcat armike.
Në mbrojtje të pozicioneve ishin rreshtuar luftëtarët më të dëshmuar, meqë pika ku armiku bënte përpjekje për të depërtuar në drejtim të Kleçkës ishte me shumë rëndësi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në të njëjtën kohë, forcat serbe kishin sulmuar edhe në drejtim të Tërpezës, të Bllacës e të pikave të tjera përreth Kleçkës. Më 24 gusht 1998, forcat pushtuese serbe kishin shtuar rrezen e sulmit duke gjuajtur me topa të kalibrave të mëdhenj dhe me raketa tokë-tokë.

Pika ushtarake në Bajrak nuk po binte, ndonëse bunkerët po digjeshin. Në mbrëmje, luftëtarët e lirisë kishin depërtuar thellë në pozicionet armike, duke u shkaktuar dëme në njerëz dhe në teknikë lufte.Në mëngjesin e 24 gushtit ati kah ora 8-h, kërkohet përforcim nga baza për ti sulmuar forcat e armikut që kishin depërtuar thell në Bajrak të Luzhnicës. Në aksion u gjetën trimat e liris të të cilët para se të arrin në përforcim u sulmuan befasishëm nga forcat e armikut ku në kët sulm ra edhe bashkëluftëtari i Ismetit Gani Kastrati-Muxhahedini ,ku pati edhe shum të plagosur dhe pas pak duke ju shkuar në përforcim ra dëshmor edhe njëri nga bashkëuftarët dhe shoku më i ngusht i Ismetit Nuhi Mazreku-Snajperisti dhe Afrim Buçaj-Mësuesi. Në mbramjen e 24 gushtit dhe fillimin e natës së 25 gushtit Ismet Jasharin –Kumanovën , toka nuk e mbante. Ai gjat gjith ditës së 24 gushtit e deri në orët e vona bëri përgaditjet e duhura dhe kishte vendosur o ti tërheq trupat e shokëve të tij që ran në mëngjesin e 24 gushtit:Gani Kastrati,Nuhi Mazreku e Afrim Buçaj ti tërheq nga forcat e armikut dhe me kushtin më të rënd ose ti tërheq ase edhe ai të bjer bashk me to. Formoi grupin për veprim 5+5,ku grupi i parë nën udhheqen e Ismeti ishte edhe Habib Zogaj-Arbëri, Shaqir Shala-Dinamiti,Qamil Suka-Urani dhe Valbona Morina-Bardha. Ndërsa grupi I dytë do ta mbuloj grupin e par por pasi tju sinjalizoj Ismeti për ndihmë/.Meqë forcat e armikut e kishin rrethuar në formën e patkunit dhe i mbanin tre ushtarët e liris deri në momentin kur forcat e UKS-së do të marrin sulm për ti tërhequr. Sipas të dhënave të ushtarëve të grupit të pare Qamil Sukës-Uranit,Shaqir Shalës-Dinamiti dhe Valbona Morinës-Bardha dhe atij të grupit të dytë I udhëhequr nga Xhevat Buçaj-Malsori, me të depërtuar në thellsi të malit për ti tërhequr shokët ata u sulmuan për nji moment dhe në kthim të sulmit në luftim e sipër ranë heroikisht dy nga luftëtarët më të shquar të UÇK-së, Ismet Jashari-Kumanova dhe Habib Zogaj-Arbëri. Mëngjesi i 25 gushtit ishte I kobshëm për ushtarët e shokët e Ismetit sepse humën njërin nga komandantët dhe njërin nga trimat më të mëdhej të UÇK=së Ismetin, Arbërin,Ganiun, Afrimin dhe Nuhiun.

Më pas, bashkëluftëtarët e komandant Kumanovës të udhëhequr nga Jetulla Çarri-Komandant Guri, sipas të dhënave të Ajet Dakës nga Prizreni, ndërmarrin një aksion në afërsi të fshatit Shirokë të Therandës, nga ku arrijnë t’i tërheqin trupat e pesë dëshmorëve, të cilët i varrosin me nderime ushtarake, në Kleçkë. Këta trupa, forcat armike i kishin dërguar në Shirok, në përpjekje për t’ua humbur gjurmët.
Sot trupi i dëshmorit Ismet Jashari prehet në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Kleçkë, ku pushojnë edhe trupat e 66 dëshmorëve të tjerë, të Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova.
Në respekt të veprës së tij në luftën për çlirimin e Kosovës, gjatë vitit 2001, Brigada 113 e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, e cila vepronte në zonën e Karadakut, mbajti emrin e Ismet Jasharit-Komandant Kumanovës.
Falë gjakut që derdhën Ismeti dhe mijëra dëshmorë e martirë të tjerë të kombit, sot Kosova gëzon pavarësinë si shteti më i ri në botë. Për kontributin e jashtëzakonshëm që dha në luftën për çlirimin e Kosovës, më 25 gusht të vitit 2009, Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu e dekoroi Ismet Jasharin me Urdhrin HERO I KOSOVËS.

Për ta nderuar dhe përjetësuar veprën heroike të komandant Kumanovës, bashkëluftëtarët e tij i ngritën shtatoren, afër Shtëpisë-Muze të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në kryeqytetin historik të shqiptarëve dhe në vendlindjen e tij në fshatin Orizare ku shtatorja e Ismet Jasharit e ndriçoi fshatin Orizare dhe vendi mori emrin Sheshi i Ismet Jasharit-Kumanova. Në nderim të emrit e veprës së tij edhe Shkolla e mesme Komunale gjimnazi u emrua me emrin e heroit Ismet Jashari në Komunën e Likovës.Sipas hulumtimeve të mbledhura nga bashkluftarët e tij kam arritur në nxjerr një përfundim që Ismet Jashari-Kumanova rradhitet në rradhën e trimave më të mëdhenjë të ushtarëve të Ushtris Çlirimtare të Kosovës.
Ismet Jashari e deshi më shumë lirinë se jetën, e deshi më shumë atdheun se veten, ai bëri shumë për lirinë e Kosovës.
Lavdi jetës dhe veprës së Heroit të Kosovës, Ismet Jasharit-Kumanova.