(ANALIZË) Media njësoj si politika: Përplasje etnike mbi çështje të ndjeshme
A vazhdon të jetë i pranishëm diskursi etnocentrik në raportimet mediatike? A janë gazetarët profesionistë, apo para së gjithash shqiptarë, maqedonas e pjesëtarë të etnive tjera? Në cilën periudhë të pluralizmit politik ka qenë më i shprehur raportimi etnik para atij etik? Sa është e stimuluar kjo lloj gazetarie nga politika? Si reflektohen dallimet brenda politikës apo qeverisë në spektrin mediatik? Cilat ishin tri çështjet që vijëzuan dallimet e theksuara konceptuale politike brenda qeverisë dhe që ndanë edhe mediat mbi baza e etnike?
Shkruan: SEFER TAHIRI
Diskursi mediatik në Maqedoninë e Veriut në tri dekadat e kaluara ka qenë kryesisht etnocentrik përkatësisht polarizues, si rezultat i përfshirjes së pikëpamjeve dhe interesave etnike apo etno-politike në raportimet dhe interpretimet e mediave në gjuhën shqipe dhe maqedonase.
Dukuria e “diskursit të dallimit” apo jopërbashkues e jokoheziv, i cili e ndan shoqërinë etnikisht dhe shfaq dy realitete diskursive apo të konstruktuara mediatike, njëri shqiptar dhe tjetri maqedonas, është e pranishme që nga vitet e komunizmit, ndërsa ka fituar në intensitet në vitet 90-ta, gjë që mund të konsiderohet edhe si një proces i natyrshëm, i nxitur nga zhvillimi i hovshëm i mediave komerciale (private), krahas atyre shtetërore.
“Diskursi i dallimit” për më shumë se tre dekada dominon politikën dhe mediat shtetërore dhe private
Diskursi përçarës mediatiko-etnik ka qenë prezent në periudhat e pushteteve të ndryshme, që nga ai i Lidhjes Socialdemokrate dhe Partisë së Prosperitetit Demokratik në vitet 1992-1998, i Partisë Demokratike Shqiptare dhe VMRO–DPMNE-së në vitet 1998-2002, BDI-së dhe LSDM-së në vitet 2002-2006, në njëmbëdhjetëvjeçarin e pushtetit të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së (2006-2017), por edhe në periudhën e qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së, në vitet 2017-2024.
Diskursi i dallimit apo i shfaqjes së dallimeve që nuk i ndërlidhin qytetarët ka qenë i pranishëm që nga votimi i Kushtetutës së republikës së pavarur (1991), ngjarjeve të Bit Pazarit (1992), çështjes së mësimit në gjuhën shqipe në arsimin e mesëm, hapjes së Universitetit të Tetovës (1994), përdorimit të flamurit etnik shqiptar (1997), etj.
Konflikti i armatosur i vitit 2001 ka qenë ai që e ka thelluar edhe më shumë hendekun ndëretnik, ndërsa media i ka kontribuar në masë të madhe thellimit të tij, deri në pikën, saqë vetë ajo prodhonte spekulime apo gjysmë-informacione për koncepte të ndarjes së shtetit mbi baza etnike. Një pjesë e mediave kundërshtonin ashpër Marrëveshjen e Ohrit, duke synuar vazhdimin e konceptit të organizimit të shtetit para vitit 2001.
Prodhimi i realiteteve paralele ka vazhduar edhe pas vitit 2002, sidomos kur u bë riorganizimi territorial i vendit apo formimi i komunave të reja në vitin 2004, vit kur u bë edhe zyrtarizimi i Universitetit të Tetovës. Nuk ka pasur përjashtim as edhe gjatë raportimit mbi njohjen e Kosovës si shtet i pavarur etj.
Dy të vërteta mediatike janë shfaqur edhe rreth rasteve të cilësuara si raste të montuara politike siç janë: Sopoti, Brodeci, ngjarjet e Kumanovës e shumë ngjarje tjera, që kanë krijuar ndarje ndëretnike. Ndër rastet më karakteristike është ai i ligjit për stimulimin e natalitetit, i cili shmangte disa komuna të banuara kryesisht me shqiptarë, me arsyetimin se në to nataliteti është i lartë.
Projekti “Shkupi 2014” ishte jo vetëm simbolik, por edhe objektivisht e vijëzoi kryeqendrën mbi baza etnike, ndërsa në rrafsh më të gjerë kjo ndodhte me shtetin në tërësi.
Raportimi mediatik pas zgjedhjeve të vitit 2024: Flamuri shqiptar përçan koalicionin e ri qeveritar
Në vitin 2024, në diskursin politik dhe rrjedhimisht edhe në atë mediatik, vazhduan të shfaqen reminishenca nga e kaluara bashkëkohore politike e vendit. Për shembull, struktura të caktuara politike ende vazhdojnë të reagojnë kundër përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar në institucionet e shtetit.
Në këtë drejtim, mediat i kanë dhënë hapësirë të konsiderueshme deklaratës së kryetarit të partisë qeveritare ZNAM, Maksim Dimitrievski kundër përdorimit të flamurit shqiptar që shpërfaq në opinion vrojtimet dalluese etnike dhe politike, madje edhe midis partnerëve qeveritarë.
Mediat maqedonase kanë raportuar me titullin “Dimtrievski: ZNAM do të dalë nga qeveria, nëse sërisht ministrat e VLEN e përdorin flamurin shqiptar“.
Mediat e transmetuan në mënyrë korrekte dhe objektive deklaratën e Dimitrievskit:
“Dimitrievski reagoi ndaj takimit të parë koordinues të ministrave të VLEN-it në kabinetin e zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti, e cila u publikuar me komunikatë dhe fotografi. “Ky është narrativi i BDI-së, i cili vazhdon. Nëse vazhdon qasja dhe mosrespektimi i këtillë nuk do të jemi pjesë e Qeverisë dhe do të dalim” tha Dimitrievski në intervistën për TV KANAL 5. Në fotografi shihen se janë vendosur tre flamuj – maqedonas, shqiptar dhe flamuri i BE-së.”, raportoi TV Kanal 5.
Portali i të përditshmes “Slloboden Peçat” publikoi shkrimin me titull “Përçarje në qeveri për shkak të flamurit, pas vetëm 8 ditësh“.
Kjo media publikon fotografitë e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, të ministrit të Politikës Sociale, Fatmir Limani, dhe të ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, të cilët në tavolinat e tyre të punës e kanë vendosur flamurin shqiptar.
Mediat në gjuhën maqedonase kanë përcjellë në mënyrë korrekte deklaratën e kreut të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami si përgjigje ndaj deklaratës së Dimitrievskit.
Titulli i shumicës së mediave ishte “Kasami porositi Dimitrievskin: Nuk je ti ai që cakton se kur dhe si do të përdoret flamuri kombëtar“. Ndërsa portali Mkd.mk publikoi qëndrimin e koalicionit VLEN: “Maksim Dimitrievski të mos i kontestojë simbolet e identitetit shqiptar“.
Edhe mediat në gjuhën shqipe i kanë kushtuar hapësirë të konsiderueshme deklaratës së Dimitrievskit. TV 21 raportoi me titullin “Dimitrievskit i pengon Flamuri Shqiptar në Qeveri! Kundërpërgjigjet Kasami“. Në portalin e televizionit përdoret fotografia e takimit koordinues te zëvendëskryeministri Mexhiti me funksionarët shqiptarë të qeverisë së re, ku në tavolinë shihet flamuri shqiptar. TV 21 publikoi edhe qëndrimin e koalicionit VLEN, i cili u bëri “Thirrje edhe ministrave nga radhët e Lëvizjes ZNAM që të bashkëngjiten në takimin e radhës koordinues dhe të binden se nuk bisedohet për asgjë tjetër përpos për efikasitetin e zbatimit të detyrave programore”.
Portali “Nistori”, duke dashur të shprehë qëndrimin përbashkues kundërshtues të faktorit politik shqiptar, raportoi me titullin “OPOZITË E POZITË – partitë shqiptare i reagojnë Maksim Dimitrievskit për flamurin shqiptar“.
Portali i gazetës “Lajm” publikoi shkrimin me titull “A do të del nga Komuna e Kumanovës? Flamuri shqiptar në zyrën e Maksim Dimitrievskit“. Ky portal publikoi edhe videon e intervistës së Dimitrievskit për platformën mediatike “360 shkallë”, në të cilën shihet qartë se ai në zyrën e kryetarit të Kumanovës mban flamurin shqiptar.
Një pjesë të mediave, duke dashur ta portretizojnë Dimitrievskin si politikan pro-jugosllav dhe antishqiptar, publikuan statusin e politikanit Arjanit Hoxha, i cili publikoi një fotografi të liderit të ZNAM-it me flamurin e ish Jugosllavisë.
Një pjesë e mediave që tani kanë politikë redaktuese pro-opozitare kritikuan takimin e kryetarit të Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti dhe kreut të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, që u zhvillua pa flamurin etnik shqiptar. “Takimi mes Izet Mexhitit dhe Bilall Kasamit zhvillohet pa flamurin shqiptar, nën frikën nga Mickoski dhe Dimitrievski” (Index. mk, Revista. mk, Desk.al, 2 korrik 2024).
Raportimi i mediave shqipe dhe maqedonase mbi flamurin shqiptar përdëfton për të satën herë se një pjesë e madhe e tyre kanë qasje etnocentrike, kur bëhet fjalë për çështje delikate, që kanë konotacion etnik apo etno-kulturor. Ndërsa dallimet midis subjekteve politike, në relacionin pushtet – opozitë ose brenda koalicionit qeveritar, nuk i lënë pa i përfshirë edhe mediat, të cilat nuk mund të zhvishen nga “petku” etnik, përkatësisht të jenë tërësisht profesionale dhe të respektojnë standardet e raportimit etik.
“Balancuesi” shkakton disbalancë në pushtetin ekzekutiv
Mediat kanë pasqyruar qasjet e ndryshme të partnerëve të koalicionit qeveritar, VMRO- DPMNE dhe ZNAM në njërën anë, dhe koalicionit VLEN në anën tjetër, mbi heqjen e mekanizmit të quajtur “balancues”, i cili synon të sigurojë përfaqësim të drejtë dhe adekuat e të punësuarve në administratën shtetërore dhe publike.
Televizioni 24 raportoi me titullin afirmativ “Balancuesi shkoi në histori“. Por, ky televizion, edhe pse e përcjell qëndrimin kundërshtues të Bashkimit Demokratik për Integrim, të njëjtin nuk e shfaq në titull.
Të njëjtin titull si TV 24 e përdor edhe portali në gjuhën maqedonase i TV Alsat, edhe pse brenda raportit gazetaresk përfshihen edhe qëndrimet e liderëve të partive të koalicionit VLEN, Arben Taravari dhe Izet Mexhiti.
TV Kanal 5 raportoi me titullin “Personat e regjistruar në diasporë prej sot nuk do të evidentohen në balancues“.
“Ky është hapi i parë drejt heqjes së plotë të balancuesit për punësim sipas bazës etnike, i cili po bëhet e kaluar”, raportoi TV Kanal 5.
Ky televizion vuri theksin tek deklarata e ministrit të Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, sipas të cilit “Numrat në balancues prej sot tashmë janë ndryshuar dhe u përgjigjet rezultateve të popullsisë rezidente nga regjistrimi i vitit 2021”. Por, ky televizion nuk shpjegoi për publikun se sipas regjistrimit të fundit, shqiptarët rezidentë janë 24%, ndërsa jorezidentë 29%.
Portali i të përditshmes “Slloboden Peçat” raportoi me titullin “Balancimi sipas etnikumit bëhet e kaluar, prioritet do të jetë profesionalizmi“.
Një pjesë e mediave maqedonase kanë transmetuar deklaratën e liderit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela me titullin “Tone të larta nga Sela: Filloi heqja e balancuesit, le ta dijë Mickoski se nuk janë të gjithë shqiptarët si VLEN“.
Në mediat shqipe pati qasje kritike ndaj heqjes në faza të balancuesit. Për shembull, Televizioni Shenja raportoi me titullin “Kufizohet balancuesi, më shumë maqedonas e më pak shqiptarë në administratë.”
“Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, ka njoftuar se janë ndryshuar përqindjet e balancuesit, mjetit për punësim sipas përkatësisë etnike në institucionet shtetërore, me çka rritet numri për punësim i maqedonasve, ndërsa ulet numri i shqiptarëve. Në llogaritjen e re për punësimet është përfshirë vetëm numri i popullsisë rezidente sipas regjistrimit të fundit. Llogaritja e mëparshme, në të cilën sipas Minçevit nuk ishte respektuar Ligji për të Punësuarit në Sektorin Publik, është nga viti 2022 kur ministër ishte Admirim Aliti”, thuhet në raportin e TV Shenja.
Ndërsa TV 21 raportoi me titullin “Përplasje mes VLEN dhe ZNAM, ulja e përfaqësimit të shqiptarëve në administratë shkakton revoltë te partnerët e koalicionit qeverisës.”
TV Klan Maqedonia lidhur me këtë çështje raportoi me titullin “Minçev ndryshoi llogaritjet për balancuesin/ Ulet përqindja e shqiptarëve, rritet e maqedonasve“.
“Ministri i Administratës Publike Goran Minçev njoftoi se janë ndryshuar përqindjet e balancuesit, mjeti për punësim sipas nacionalitetit në institucionet shtetërore. Me këtë ulet përfaqësimi i shqiptarëve në administratë! Në gusht 2022, ministri i atëhershëm Admirim Aliti bëri një përllogaritje të re, duke numëruar diasporën nga regjistrimi i vitit 2021 dhe rriti përqindjen e punësimit të shqiptarëve në 29.54%.”, thuhet në raportin e TV Klan Maqedonia.
Portali “Revista”, duke dashur që pozitën e koalicionit VLEN në qeveri ta prezantojë si vasale, raportoi me titullin “ZNAM” poshtëron keq VLEN-in: Kuptoni se koha e demostrimit të forcës ka mbaruar!”
“Lëvizja “ZNAM” e udhëhequr nga Maksim Dimitrievski ka dalë në mbrojtje të ministrit të Administratës Publike dhe vendimit të tij për uljen e përqindjes së shqiptarëve dhe kanë poshtëruar keq partnerët shqiptarë të koalicionit VLEN”, shkruan në artikullin e portalit Revista.
Edhe tema e “Akademisë shqiptare” ndan mediat në vija etnike
Divergjenca midis partive politike në pushtet si dhe në media shkaktoi edhe ideja e koalicionit VLEN për themelimin e Akademisë shqiptare të shkencës dhe arteve, që ishte pjesë e programit parazgjedhor të këtij koalicioni.
Përderisa mediat shqipe raportonin me tone afirmative, por jo edhe euforike lidhur me idenë për Akademi etnike, mediat maqedonase më tepër hapësirë i kanë dhënë reagimeve kundërshtuese, duke vënë theksin tek ruajtja e unitetit akademik, pasi Akademia shqiptare sipas tyre do të ndikojë në dezintegrimin e shoqërisë. Në këtë kontekst, duhet cekur se Debati mbi etnocentrizmin e Akademisë maqedonase së Shkencave dhe Arteve, daton që nga pavarësimi i vendit, ndërsa ideja për Akademi shqiptare mund të trajtohet si reagim ndaj faktit që Akademia maqedonase nuk ka hapur sa duhet dyert për shqiptarët.
TV 21 e transmetoi deklaratën e kryetarit të Lëvizjes Demokratike, Mexhiti, i cili e kritikon etnocentrizmin e Akademisë zyrtare: “Izet Mexhiti: Në ASHAM nuk ka shqiptar të punësuar as si kafexhi!“.
Portali “Telegrafi” raportoi me titullin “Do të themelohet Akademia Shqiptare për Shkencë dhe Art në RMV, Mexhiti: Fillimisht do të financohet nga komunat.”
Gjatë raportimit për këtë çështje, disa portale shqipe idenë për Akademi të re shqiptare e bënë fakt të kryer. Me titullin afirmativ “VLEN, ashtu siç premton, edhe realizon: Akademia e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art po bëhet realitet!” ka raportuar edhe agjencia shtetërore e lajmeve MIA në gjuhën shqipe.
Televizioni ALSAT, duke respektuar parimin e balancimit prezantoi edhe qëndrimet kundërshtuese ndaj idesë për Akademi shqiptare. Ky televizion raportoi me titullin “A ka përçarje? – E thotë edhe vet Mickoski: Nuk na nevojitet akademi tjetër“, edhe pse brenda raportit përfshihej edhe qëndrimi i zëvendëskryeministrit të parë, Izet Mexhiti.
Mediat maqedonase kryesisht kanë theksuar se Maqedonia e Veriut si shtet unitar nuk mund të ketë dy akademi paralele etnike, të formuara, organizuara dhe të financuara nga buxheti i shtetit.
Portali i të përditshmes “Slloboden Peçat” raportoi me titullin “Në shtet unitar nuk ka vend për akademi shqiptare“.
Ndaj qëndrimeve të koalicionit VLEN se akademia do të financohet nga komunat e banuara me shqiptarë, portali SDK publikoi shkrimin me titullin e gjatë e përshkrues “Akademia e shkencave mund të formohet vetëm nga Kuvendi ose qeveria, ndërsa për institucion të përzier shkencor në nivel të komunave duhet shumicë e Badenterit në këshilla“. Sipas këtij portali, Ligji për veprimtari hulumtuese shkencore dhe Ligji për Vetëadministrim Lokal nuk parashikon mundësi për formimin e akademisë paralele komunale shkencore.
Në funksion të hedhjes poshtë të idesë për Akademi etnike shqiptare, Televizioni Kanal 5 përgatiti dhe transmetoi kronikën me titullin “Një pjesë e akademikëve shqiptarë të ASHAM janë kundër formimit të Akademisë së veçantë shqiptare të shkencave“. Por, në kronikë transmetohet vetëm deklarata e akademikut Alajdin Abazi, i cili prezantohej si nënkryetar i ASHAM-it, i cili u shpreh se “Kemi një akademi dhe ajo është për të gjithë. Nuk mund të ketë dy akademi kombëtare të shkencave dhe arteve. Ka disa punë, të cilat duhet të përmirësohen rreth gjuhës, kulturës dhe historisë shqiptare dhe kjo mund të bëhet me departament të veçantë në kuadër të ASHAM-it me akademikë të rinj“.
Përfundime
Në vitet 90-ta, pas pavarësimit të Maqedonisë së Veriut, ka vazhduar prania e diskursit mediatik polarizues në vija etnike, që ishte vazhdimësi e diskursit të periudhës së komunizmit, që kryesisht ishte i orientuar kundrejt shqiptarëve nga mediat shtetërore të kohës.
Ky diskurs që ndante shoqërinë, me amplituda të caktuara të intensitetit, ka qenë i pranishëm në të gjitha pushtetet pas demokratizimit dhe pavarësimit të shtetit, qoftë kur ka qeverisur VMRO-DPMNE-ja, qoftë LSDM-ja, në koalicione me partitë shqiptare. Diskursi, i cili shpesh ka qenë edhe populist, është shfaqur që nga miratimi i Kushtetutës së parë të vendit dhe më pas edhe në të gjitha ngjarjet e ndjeshme, që kanë pasur kontekste etnike.
Pas zgjedhjeve të vitit 2024, që në fillimet e tij, koalicioni i ri qeveritar ka shfaqur çarjet lidhur me të drejtat e shqiptarëve dhe bashkësive tjera etnike, që përfshijnë përdorimin e flamurit etnik shqiptar në institucionet e shtetit, heqjen e balancuesit si mekanizëm kontrollues për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në administratë dhe së fundmi edhe lidhur me idenë për hapjen e Akademisë shqiptare të shkencave dhe arteve.
Rekomandime
Çështjet etnike, që janë të pranishme natyrshëm në një shoqëri shumëetnike si e jona, nuk duhet të anashkalohen nga mediat. Por, reporterët dhe redaktorët, me qasjen e tyre profesionale, duhet të ndikojnë që këto çështje të mos jenë shkas i thellimit të hendekut ndëretnik, i cili ekziston në realitet, ndërsa në media ekzagjerohet, si rezultat i ndikimit të politikës.
Mediat duhet të japin kontribut që të rrisin tolerancën ndëretnike, duke mos fshehur faktet dhe duke mos u dhënë hapësirën kryesore vetëm çështjeve që ndajnë politikën dhe shoqërinë në vija etnike. Në këtë drejtim, ekspozimi dhe afirmimi i kohezionit shoqëror dhe ndëretnik është detyrë dhe mision i shërbimit radiodifiziv publik dhe agjencisë shtetërore të lajmeve MIA, por edhe i mediave private.
Raportet e gazetarëve dhe përmbajtjet mediatike të zhanreve tjera duhet të shmangin tifozerinë etnike dhe të bazohen vetëm tek standardet e profesionit dhe normat etike, të cilat përfshijnë objektivitetin dhe balancimin, që nënkupton përfshirjen e pikëpamjeve dhe perspektivave të ndryshme politike dhe etnike.
(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)