Lojërat e fatit, prej sot fillon reduktimi i tyre
Duke filluar që sot, kompanitë që në mënyrë joligjore kanë marrë licenca nga pushteti i kaluar për lojëra të fatit në internet janë në mbyllje e sipër, thotë zv.kryeministri i parë Izet Mexhiti, shkruan Alsat.
Sipas tij, plani për largimin e lojërave të fatit nga shtëpitë e qytetarëve tashmë po zbatohet dhe hapi tjetër është përgjegjësia ligjore për ata që kanë dhënë licencat në mënyrë joligjore.
Veprimi vjen pas interpretimit autentik të një neni të ligjit për lojërat e fatit.
“Duke marrë parasysh se të gjitha kompanitë që në kohën e Artan Grubit dhe Përparim Bajramit morën pjesë në thirrje publike dhe u zgjedhën për të organizuar lojëra të fatit në internet nuk kanë licenca do të thotë se menjëherë dhe pa vonesa do të largojmë lojërat e fatit si një e keqe shoqërore, nga shtëpitë e qytetarëve tanë. Pika tjetër e planit për trajtimin e pasojave të dëmshme të lojërave të fatit është inicimi i procedurave të përshtatshme gjyqësore për të vërtetuar abuzimin me pozitën dhe autoritetin zyrtar nga të gjithë ata që kanë marrë vendime të paligjshme për organizimin e llojeve të ndryshme të lojërave të fatit”, tha Izet Mexhiti, zv.kryeministër i parë.
Mexhiti shton se për momentin përgatitet ligj tërësisht i ri për lojërat e fatit. Sipas tij, ligji i ri do të garantojë që numri i objekteve ekzistuese, kazinove dhe bastoreve të ulet të paktën në gjysmë.
Tre ditë më parë, deputetët me interpretim autentik të ligjit për lojërat e fatit në Kuvend definuan të drejtën për dhënien e licencës për organizimin e lojërave të fatit. / Alsat.mk