Shkarkohet Valdete Daka e cila pengonte votimin e diasporës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shkarkuar kryesuesen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se Kushtetuta parasheh se kryesuesi i KQZ-së duhet të jetë një figurë e lartë gjyqësore, me një mandat burimor në Gjykatën e Apelit apo Gjykatën Supreme të Republiëks së Kosovës.
Në vendim thuhet se Kryesuesi i KQZ-së duhet t’i nënshtrohet parimit të paanshmërisë, si një garancion procedural dhe substancial që pozicioni i tij në menaxhimin e këshillimit dhe vendimmarrjes së KQZ-së të mos cenojë integritetin objektiv të sistemit zgjedhor.
Osmani ka thënë se përgjegjësia për të ruajtur paanshmërinë e KQZ-së është e Kryesueses së Komisionit. Por, se Kryesuesja me veprimet e saj sidomos gjatë zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, ka cenuar pavarësinë dhe integritetin e KQZ-së.
Po ashtu thuhet se KQZ është organ kushtetues dhe i pavarur dhe se kriteri i të qenit organ i pavarur duhet të sigurohet nga gjitha institucionet relevante dhe duhet të menaxhohet nga brenda nga Kryesuesi së bashku me anëtarët e KQZ-së.
“Kryesuesja në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike kështu duke u pamundësuar balancin e nevojshëm në këtë organ. Në fakt, në disa raste, sjelljet e Kryesueses janë të njëjta me ato të disa përfaqësueseve të partive politike në KQZ. Rrjedhimisht, Kryesuesja, qoftë me veprim apo mosveprim, ka kontribuuar në përshkallëzimin e situatës gjatë mbledhjeve të këtij organi”, thuhet në arsyetimin e vendimit.
Në vendimin është thënë se veprimet e Kryesueses vetëm sa kanë ulur besimin në KQZ dhe kanë qenë po ashtu në kundërshtim me Kushtetutën.
“Legjislacioni në fuqi parasheh se Presidentja është autoritete kompetente për të emëruar Kryesuesen e KQZ-së, sikurse është edhe për ndërprerje të mandatit të saj. Ndaj, duke pasur parasysh vlerat demokratike të integruara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke pasur parasysh se pavarësia dhe integriteti i KQZ-së ka një rëndësi vitale në zgjedhjet demokratike dhe për t’u siguruar se ky integritet nuk dëmtohet mëtutje, duke u mbështetur në faktin se zgjedhjet lokale të vitit 2021 pritet të organizohen së shpejti, dhe në asnjë mënyrë Kryesuesja e KQZ-së nuk guxon të jetë shkak i humbjes së besimit të qytetarëve në këtë institucion, kam vendosur sikurse në dispozitivin e këtij vendimi”, thuhet në vendimin e presidentes Osmani.
KOHA e ka siguruar dokumentin e shkarkimit të Dakës.
Valdete Daka ishte zgjedhur kryesuese e KQZ-së në vitin 2011 për të rimarrë sërish këtë mandat në vitin 2018.
Mandati i të parit të KQZ-së është shtatë vjet.