800 mijë qytetarë janë vaksinuar me vaksina kineze
Në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut deri më tani janë vaksinuar 1.694.373 qytetarë. Prej tyre 794.666 qytetarë me të dy dozat e vaksinës, ndërkaq dozën e tretë e kanë marrë 70.937 qytetarë. 57% e popullsisë së rritur janë vaksinuar vetëm me një dozë, 47% me të dy dozat, 39% e popullsisë së përgjithshme ka marrë vetëm një dozë, 38% e popullsisë së përgjithshme është vaksinuar me dy doza, ndërkaq 57% e popullsisë mbi 40 vjeç janë vaksinuar me dy doza vaksinash.
Të dhënat e siguruara nga Ministria e Shëndetësisë, tregojnë se 796.235 qytetarë janë vaksinuar me vaksinat kineze “Sinofarm” dhe “Sinovac”.
“Për momentin kemi rreth 6.000 doza të vaksinës “Sinovac”, deri më tani janë aplikuar 492.694 vaksina nga “Sinovac” dhe 303.541 nga “Sinofarm”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Imunizimi në Republikën e Maqedonisë Veriore ka filluar zyrtarisht në prill të vitit 2020 me vaksinat e Sinovak. Ngarkesa e parë prej 200.000 vaksinash mbërriti në aeroportin e Shkupit, e pritur nga ministri i Shëndetësisë, ku mori pjesë edhe ambasadori i Kinës në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ndër të parët që u vaksinuan me vaksinat kineze ishin kryeministri i vendit Zoran Zaev dhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Ndërkaq edhe Presidenti turk Erdogan, Kryeministri jordanez, Presidenti indonezian Joko Uidodo dhe personalitete të tjera me emër të më shumë se 10 shteteve e kanë pranuar publikisht vaksinën kineze. Shumë shtete, duke përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Serbia dhe Hungaria u furnizuan me vaksinën kineze dhe filluan vaksinimin.