8 helikopterë për Armatën, Maqedonisë së Veriut do t’i kushtojnë 230 milionë euro!
Tetë helikopterë të prodhimit italian “Leonardo” do të blihen për nevojat e Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Vlera e helikopterëve do të arrijë 230 milionë euro, ndërsa do të paguhet në katër këste. E para do të paguhet këtë vit dhe është në shumë prej 16 për qind nga vlera totale e furnizimit.
Siç ka informuar në brifingun e sotëm ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, zgjedhja është bërë në përputhje me planin afatgjatë për zhvillimin e aftësive mbrojtëse 2023-2032 dhe planet e Armatës për rinovimin e komponentës së aviacionit.
Petrovska thotë se se procedura e përzgjedhjes së kompanisë ka filluar pas publikimit të shpalljes në vitin 2019, për të cilin është formuar një ekip i përbërë nga ekspertë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Armatës.
“Në fazën e hulumtimit të tregut dhe krahasimin e alternativave, ekipi vendosi të rekomandojë furnizimin e helikopterëve nga kompania “Leonardo helikopters”, deklaroi Petrovska.
Ajo potencoi se pakoja e furnizimit përfshin trajnimin e pilotëve dhe stafit teknik, si dhe disponueshmërinë e simulatorëve për trajnim, ndërsa do të sigurohet një hangar për të vendosur helikopterët e rinj.
Helikopteri i parë do të arrijë në gjysmën e dytë të vitit 2026, ndërsa të gjitha dërgesat do të përfundojnë deri në vitin 2028.
Marrëveshja për furnizimin e helikopterëve do të bëhet nesër, ndërsa do ta nënshkruajnë ministrja Petrovska dhe ambasadori i Italisë në emër të Qeverisë së dy vendeve. Deri në fund të muajit do të nënshkruhet kontrata me kompaninë “Leonardo helikopters”.