70 vjetori i themelimit të Medresesë, Kurti: Si një popull me shumicë myslimane, shqiptarët ditën ta ruajnë islamin mes tyre
Kryeministri Albin Kurti mori pjesë në manifestimin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) kushtuar 70-vjetorit të themelimit të Medresesë së Mesme “Alauddin” në Prishtinë. Aty, Kurti e mbajti një fjalim, ku si fillim, tregoi se me myftiun e BIK-ut, Naim Tërnava, njihet që nga shekulli i kaluar.
Kurti tha se Medreseja “Alaudinn” ishte vendi i kuvendit politik e kombëtar për rezistencë dhe liri.
“Me myftiun Naim Tërnava njihemi që nga shekulli i kaluar, për më shumë se një çerek-shekulli, nga koha kur medreseja Alaudinn ishte vendi i kuvendit, i kuvendit politik e kombëtar për rezistencë dhe për liri. Sot kur e shënojmë 70-vjetorin, përvjetorin jubilar të medresesë Alaudinn, edhe myftiu Naim Tërnava, edhe unë, jemi mplakur pak, shumë më pak sesa vitet që kanë kaluar prej atëherë”, tha ai.
Kryeministri Kurti i thuri pak lavde vetes dhe myftiut, duke thënë se të dy kanë qëndruar për të mirën e përgjithshme.
“Mirëpo pa dyshim se asnjë prej nesh nuk ka ndryshuar qëndrim për të mirën e përgjithshme, të shoqërisë e të kombit tonë, e gjithashtu nuk ka ndryshuar karakter të dashamirësisë për popullin të cilit duhet t’i shërbej pa rezervë e pa kursim”, tha ai.
Kurti në një pjesë të fjalimit e citoi edhe profetin e myslimanëve, Muhamedin, duke theksuar se shqiptarët ditën ta ruajnë islamin mes tyre.
“Si një popull me shumicë myslimane, shqiptarët ditën ta ruajnë islamin mes tyre edhe gjatë këtyre dekadave të fundit, kur për shkak të luftës globale kundër terrorizmit, të ishe mysliman ishte sikur ta mbaje një gacë në dorë, saktë ashtu siç kishte parashikuar profeti i Islamit, Muhamedi”, tha kryeministri.