Kosovë

Stano: BE mund të miratojë masa kundër Kosovës

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano thotë se BE-ja nuk e përjashton mundësinë që Kosova të përballet edhe me masa të tjera, nëse Qeveria e këtij vendi nuk i përmbush kërkesat ndërkombëtare. Sipas tij, masat ndaj Kosovës nuk janë sanksione apo masa kufizuese në aspektin klasik. Stano tha se masat janë të përkohshme, dhe janë përgjigje ndaj “dështimit” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të marrë hapa konkretë dhe të menjëhershëm për uljen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.

“Ka një sërë masash, apo propozime për një sërë masash. Disa prej tyre tashmë kanë hyrë në fuqi menjëherë. Disa prej tyre janë ende duke u diskutuar dhe vendet anëtare do t’i zbatojnë gradualisht, nëse nuk do të ketë ndryshim të qasjes së autoriteteve të Kosovës. Spektri është relativisht i gjerë”, tha Petar Stano, zëdhënës i BE-së.

Sipas burimeve diplomatike masat fillestare, do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes. Ndërkohë presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se Kosova është afër zgjidhjes për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Nga Strasburgu ajo u shpreh se vendi është në rrugën e duhur dhe në diskutime me partnerët. Osmani u bëri thirrje serbëve që jetojnë në Kosovë që t’i shfrytëzojnë të drejtat që i parasheh Kushtetuta duke nënvizuar se Kosova është vendi më pro-evropian në Ballkanin Perëndimor.

“Jemi në rrugë të duhur për t’i tejkaluar sfidat me të cilat po ballafaqohemi. Jemi në diskutime me partnerët tanë dhe jemi afër zgjidhjes. Ekzistenca e shtetit tonë dëshmon çfarë mund të bëjnë demokracitë kur bëhen bashkë, kur i dalin ballë pushtuesit, kur mbështesin ata që luftojnë për drejtësi dhe barazi, dhe kur ju bashkoheni kundër tiranisë, diktaturës dhe gjenocidit”, ushpreh Vjosa Osmani, presidente e Kosovës.

Për shkak të zhvillimeve të fundit në Kosovë, një ditë më parë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar që të anulohet mbledhja e dy Qeverive Kosovë-Shqipëri, ndërsa arsye është refuzimi i kryeministrit Albin Kurti që të zhvillojë takim më të ngushtë për tu diskutuar zhvillimet e fundit në Veri të Kosovës.