Maqedoni

43 raste të reja me kollën e keqe, trefishohet numri i pacientëve në RMV

Javën e fundit janë raportuar 44 raste të reja me kollë të keqe në Maqedoninë e Veriut, që paraqet rritje prej 3 herëve krahasuar me javën e kaluar, bën të ditur Qendra e Shëndetit Publik në raportin e fundit për këtë sëmundje, transmeton Portalb.mk.

Mosha e të sëmurëve varion nga 3 muaj deri në 77 vjeç, ndërsa numri më i madh i rasteve është i grup-moshës 5-9 vjeç. Sa i përket statusit të vaksinimit të të sëmurëve, 28 nuk rezultojnë se kanë pranuar të gjitha vaksinat, ose me status të panjohur vaksinimi, 9 janë të vaksinuar plotësisht dhe 7 janë të vaksinuar sipas moshës.

“Nga 44 rastet e reja, pesë janë shtruar në spital”, thuhet në raport.

Aktualisht janë raportuar dy epidemi në qytetin e Shkupit dhe Kumanovës. Numri më i madh i pacientëve i përket grup moshës deri në 4 vjeç.

Nga numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara (597 pacientë), 361 raste (ose 60.5%) janë të pa vaksinuar, nuk rezultojnë se kanë pranuar të gjitha vaksinat sipas moshës ose nuk ka dëshmi të vaksinimit. Nga rastet e pacientëve të vaksinuar plotësisht, koha mesatare e kaluar nga doza e fundit e vaksinës deri në sëmundje është 12.6 vjet.

Në periudhën nga 18 janari deri më 15 prill, janë dhënë gjithsej 47.982 doza vaksine me përbërës kundër kollës së keqe.

Në Maqedoninë e Veriut pacientët e evidentuar me kollë të keqe vijnë kryesisht nga qyteti i Shkupit dhe Kumanovës së fundmi, ndërsa grup mosha më e prekur janë fëmijët deri në 4 vjeç, dhe si e tillë kjo sëmundje është vdekjeprurëse, në veçanti për fëmijët.

Problemi i kollës së keqe në Maqedoni u paraqit në janar të këtij vitit (2024) ndërkaq në shkurt Komisioni për sëmundje infektive rekomandoi shpalljen e epidemisë në Shkup.

Kujtojmë se shenjat e para të kollës së mirë janë të ngjashme me ftohjen, si rrjedhje hundësh dhe dhimbje fyti. Rreth një javë më pas, personi mund të ketë sulme të kollës që janë aq të rënda sa që lëshojnë një tingull të lartë midis kollitjeve ndërsa përpiqen të marrin frymë.