June 16, 2024
Intervistë

Selami: Vendit tonë i mungon drejtësia

“E larguam të ligun, na erdhi i brishti. Vlerësoj që nuk kemi edhe aq shumë kohë që të thurim fjalë e atribute të ndryshme mbi këtë qeveri. Unë besoj fuqishëm se edhe kjo qeveri e ka afër fundin. Na duhet vetëm kohë, durim dhe punë.”, shprehet Faton Selami, kryetar i Alternativës – Dega Tetovë.

Me reformat e realizuara së fundi në AlternAtivA, Mr. Faton Selami është zgjedhur kryetar i Degës së Tetovës të Alternativës. Kjo ishte arsyeja që me të të zhvillojmë një bisedë të shkurtër për organizimin e Alternativës në Tetovë, për angazhimin e tij personal, por edhe për përgatitjet që po bëhen për zgjedhje lokale.

1. Kush është Faton Selami? Çfarë nënkupton të jesh jurist në Maqedoninë e Veriut dhe cila është lidhshmëria juaj me politikën?

Fillimisht ju falënderoj përzemërsisht për mundësinë që ma dhatë të jem pjesë e intervistës suaj. Jam Faton Selami, i lindur në vitin 1984 në Tetovë. Në vitin 2007 i kam përfunduar studimet deridiplomike në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës. Në vitin 2013, në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, i përfundova studimet pasdiplomike, me ç’rast fitova titullin “magjistër i shkencave juridike”.

Gjatë karrierës sime akademike dhe profesionale kam përvojë pune si në sferën administrative, ashtu edhe në atë juridike, si p.sh. në vitin 2005 fillova me punë në Agjencinë për Informacion të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku kam punuar si referent.

Gjatë viteve 2006-2008 kam qenë i punësuar si referent në shërbimin profesional të Komisionit për Mbrojtjen e së Drejtës për Qasje të Lirë në Informacione të Karakterit Publik në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ndërsa karrierën e mirëfilltë si jurist e kam filluar nga tetori i vitit 2008 ku një dekadë kam shërbyer si bashkëpunëtor profesional në institucionin Avokati i Popullit, ku më pastaj në fund të vitit 2018 u zgjodha “udhëheqës njësie”.

Gjatë viteve 2018-2020, nga partia politike Alternativa, kam qenë i emëruar Sekretar Shtetëror në Ministrinë e Drejtësisë, ndërsa nga shtatori i vitit të kaluar, pas formimit të përbërjes së re qeveritare, rikthehem në pozicionin udhëheqës njësie në Ministrinë e Drejtësisë në Tetovë. Gjatë karrierës sime akademike dhe profesionale kam qenë pjesëmarrës i shumë konferencave shkencore dhe pjesëmarrës në seminare të ndryshme ndërkombëtare.

Përveç karrierës sime profesionale dhe akademike, gjatë viteve të fundit jam pjesë aktive e politikës. Kështu që nga themelimi, jam anëtar i Kuvendit Qëndrorë dhe Kryesisë Qëndrore të AlternAtivA –s ndërsa muaj më parë, u zgjodha Kryetar i degës së Alternativës për Tetovën, për të cilën u jam mirënjohës dhe falënderues kuvendarëve të Degës së Tetovës, por edhe miqve dhe bashkëpunëtorëve të mi në krye me kryetarin Afrim Gashi, pastaj edhe doktorit të mirënjohur nga Tetova, ish ministrit të Kulturës, dr. Hysni Ismaili, dhe shumë bashkëpunëtorëve të tjerë.

Sa i përket nën-pyetjes suaj, se çfarë nënkupton të jesh jurist në Maqedoninë e Veriut dhe çfarë është lidhshmëria ime me politikën, ajo që mund të them në këtë rast është se gjëja më e shtrenjtë që sot po i mungon vendit tonë është drejtësia dhe sundimi i së drejtës. Vendi ynë po ballafaqohet me shumë padrejtësi. Çdo ditë e më shumë po shohim se në ç’mënyrë po bie sistemi juridik dhe se shteti po bëhet edhe më tej jofunksional. Është me të vërtetë e vështirë dhe e papërballueshme që gati çdo ditë të shohim nga një padrejtësi të re dhe për këtë gjithë të heshtim, madje edhe sistemi i drejtësisë.

Ky është një paradoks i paparë, që kërkon rezistencë dhe ballafaqim me realitetin e nëpërkëmbur gjithandej. Janë pikërisht këto disa nga arsyet që unë sot dal para opinionit edhe në petkun e politikanit duke u angazhuar që njëherë e përgjithmonë të marrin fund padrejtësitë në këtë vend. Për ne gjërat e mira vijnë ngadalë, por me hapa të sigurt. Andaj vlerësoj që, edhe si profesionist, por edhe si politikan, beteja jonë në AlternAtivA është ndërtimi i sistemit funksional të drejtësisë, sjellja e barazisë dhe bashkëjetesa multietnike dhe multikonfesionale. Parimi ynë është Drejtësia, sepse pa drejtësi nuk mund të ketë liri dhe barazi.

2. Z. Selami, si i komentoni ngjarjet e fundit politike në vend? A kemi qeveri të suksesshme apo të brishtë? Çfarë roli po luan opozita shqiptare, konkretisht koalicioni Alternativa & Aleanca për Shqiptarët?

Kryefjala e kësaj qeverie pa dyshim është dështimi. Qeveria aktuale është para një ngërçi të ri politik, ku çdo ditë e më shumë shohim regres në vend të progresit. Çdo fjalë, çdo hap dhe çdo vendim i qeverisë aktuale është dështim. Një kohë ballafaqoheshim me të bëmat e Nikolla Gruevskit, andaj u desh kohë dhe mund i madh që t’i japim fund asaj diktature, ndërsa sot jemi para një qeverie të re, me emër të ri, por me metoda pak më të avancuara të dëshpërimit.

Pra, kemi përballë një qeveri të re, që filloi me episod të “euro-integrimeve”, ndërsa gradualisht po përfundon në qeveri të pasaportave “falso”, ngecje të eurointegrimeve, rigjiditet që fundin e ka në krim, korrupsion, hajni, mashtrim dhe lëndë narkotike. Me fjalë tjera, e larguam të ligun, na erdhi i brishti. Andaj, vlerësoj që nuk kemi edhe aq shumë kohë që të thurim fjalë e atribute të ndryshme mbi këtë qeveri. Unë besoj fuqishëm se edhe kjo qeveri e ka fundin afër. Na duhet vetëm kohë, durim dhe punë.

Sa i përket pyetjes se çfarë roli po luan opozita shqiptare, ajo tashmë po dëshmohet fuqishëm para opinionit publik. Aksionet e njëpasnjëshme, pres-konferencat, bllokimi i Kuvendit në interes të ligjeve për shqiptarët dhe qytetarët, Ligji i shtetësisë, janë vetëm disa nga këto fakte, që dëshmojnë se koalicioni Alternativa & Aleanca për Shqiptarët mbetet opsioni i vetëm tek shqiptarët për ndryshim.

Beteja jonë është e përditshme dhe në të mirën e qytetarëve. Ne jemi zëri i arsyes që reziston karshi çdo padrejtësie. Duke e ditur se e mira vjen ngadalë, pikërisht mbi këto premisa vazhdojmë t’i japim frymë kauzës sonë shqiptare. Tash shqiptarët para vetes kanë opsionin më të sigurt për të ardhmen e tyre politike. Koalicioni ynë është shpresa e vetme që do ta kthejë dinjitetin dhe krenarinë te populli ynë. Kjo gjë do të dëshmohet më së miri në zgjedhjet lokale të tetorit.

3. Së fundmi, javë më parë jeni zgjedhur kryetar i degës së Tetovës të Alternativës. Çfarë do presim nga Alternativa në degën e Tetovës? A keni filluar punën me përgatitjet për zgjedhjet lokale të këtij viti? Kush mund të jetë kandidat i koalicionit Alternativa –Aleanca për Shqiptarët në Tetovë?

Tashmë e kemi përmbyllur fazën reformuese brenda partisë sonë, me ç’rast u zgjodhën edhe organet drejtuese të partisë, Sekretari i Përgjithshëm, nënkryetarët, sekretarët e sekretariateve, drejtori i Akademisë Politike dhe zëdhënësit e partisë. Në suaza të kësaj përbërjeje reformuese në disa degë ishin paraparë edhe ndryshime kadrovike, kështu që me këtë rast për kryetar Dege të Tetovës Kuvendi i Degës më dha besimin që unë të jem prijës i degës së Tetovës (dega më e madhe në nivel republikan), për të cilën i jam mirënjohës çdonjërit prej tyre veç e veç.

Kjo për mua më shumë është përgjegjësi dhe detyrim tepër i rëndësishëm para aktivistëve, Degës, Kryesisë dhe Kryetarit të partisë. Pasi që u emërova kryetar i Degës, fillova menjëherë me punë, duke e kontaktuar gjithë anëtarësinë dhe kryetarët e nëndegëve të Tetovës, me ç’rast menjëherë filluam me hartimin e planit strategjik të shtrirjes territoriale. Kështu për një periudhë shumë të shkurtër arritëm t’i konsolidojmë të gjitha nëndegët dhe pas kësaj faze vijuam me kontaktet e para në terren, me afaristë, profesorë universitarë dhe personalitete me ndikim në terren.

Përgatitjet tona për zgjedhjet lokale kanë filluar që moti. Ne tani më jemi në fazën e tretë të hartimit të planit strategjik për fitoren e Tetovës, ndërsa me këtë plan kemi paraparë funksionalizimin e grupeve të punës në aspekt profesional. Kjo fazë kërkon përpilimin e platformës ideore për zgjedhjet lokale, platformë kjo që do të ngërthejë në vete projekte të rëndësishme kapitale në interes të qytetarëve, e veçanërisht projekte sensibilizuese për rimëkëmbjen sociale, ekonomike dhe infrastrukturore të Tetovës shqiptare.

Sa i përket asaj se kush do të mund të jetë kandidat i koalicionit tonë për Tetovën, kjo gjë është më pak e rëndësishme kundrejt detyrimit që e kemi për Tetovën tonë. Derisa tetovarët vazhdimisht po ballafaqohen me probleme reale, siç është mungesa e ujit të pijshëm, mendoj se kjo çështje do të definohet lehtë në kuadër të grupeve të punës brenda dy partive të koalicionit.

Ajo që mund të them unë është se kandidatët tanë, që nga Struga e deri në Likovë, do të jenë kandidatë të fuqishëm, profesionalë dhe fitues karshi BDI-së. Ne vazhdimisht jemi në kontakt e sipër edhe me degën e ASH-së në Tetovë dhe po punojmë ta gjejmë emrin e përbashkët që do t’ia japë fitoren e madhe koalicionit AAA-ASH në Tetovë. Thënë ndryshe, zgjedhjet lokale të tetorit do të jenë përdëftuesi më i fuqishëm se opozita shqiptare do të dalë fituese plebishitare e zgjedhjeve të ardhshme.