Kurti paralajmëron: Do t’i japim fund parullës “Rroga e vogël, fitimi i madh”
Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se dje, në mbledhjen e gjashtë të qeverisë është miratuar një dokument tejet të rëndësishëm në luftimin e kriminalitetit në vend.
“Në zgjedhjet e 14 shkurtit ne kemi premtuar se do ta luftojmë korrupsionin dhe krimin dhe do ta konfiskojmë pasurinë e krijuar në mënyrë të paligjshme. Dje kemi filluar pikërisht këtë. Koncept dokumenti që kaluam është hapi i parë drejt ligjit të ri për konfiskimin e pasurisë së paligjshme e të pajustifikueshme, prandaj edhe dua të ju informoj për përmbajtjen e tij, duke filluar nga përkufizimi i pasurisë së paligjshme”, ka shkruar ai.
Shkrimi i tij i plotë:
Qytetarë të dashur,
Dje, në mbledhjen e gjashtë të qeverisë kemi miratuar një dokument tejet të rëndësishëm në luftimin e kriminalitetit në vend.
Ka vite e dekada që kemi theksuar e jemi pajtuar të gjithë se korrupsioni në vendin tonë është i lartë dhe i koncentruar te zyrtarë të lartë të qeverisë dhe jo vetëm, se një pjesë e ngushtë e shoqërisë është pasuruar në kurriz të shumicës përmes keqpërdorimit të taksave, zhvatjes e plaçkitjes e shpërdorimit dhe ikjes nga drejtësia.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit ne kemi premtuar se do ta luftojmë korrupsionin dhe krimin dhe do ta konfiskojmë pasurinë e krijuar në mënyrë të paligjshme.
Dje kemi filluar pikërisht këtë. Koncept dokumenti që kaluam është hapi i parë drejt ligjit të ri për konfiskimin e pasurisë së paligjshme e të pajustifikueshme, prandaj edhe dua të ju informoj për përmbajtjen e tij, duke filluar nga përkufizimi i pasurisë së paligjshme.
Në kuptimin e ngushtë, pasuria e paligjshme është çdo pasuri që është fituar në rrugë joligjore, por në një përkufizim më të gjerë, pasuri e paligjshme është çdo pasuri e cila nuk arsyetohet. Shembull i tillë është kur pasuria që një person posedon nuk përkon me nivelin e të ardhurave të ligjshme mujore dhe veprimeve tjera të ligjshme.
Në Kosovë, për më shumë se dy dekada, në masë të madhe ka sunduar paligjshmëria, herë në mungesë të ligjeve e më shumë në mungesë të zbatimit të tyre. Zbrazëtira ligjore dhe jo efikasiteti i organeve të drejtësisë ka krijuar hapësirë për rritje të kriminalitetit dhe një kulturë të pandëshkueshmërisë ku ata që kanë pasur qasje në buxhetin e shtetit e kanë keqpërdorur atë për të përfituar personalisht. Rrjedhimisht shumë zyrtarë të lartë, e të tjerë të mesëm të lidhur me ta, kanë krijuar pasuri marramendëse duke keqpërdorur taksat e qytetarëve.
Deri tani, konfiskimi i pasurisë së paligjshme është rregulluar përmes tre shtyllave: Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë. Korniza ligjore e tanishme parasheh ekzistimin e aktgjykimit dënues si element të domosdoshëm për t’i hapur rrugë konfiskimit të pasurisë. Një praktikë e tillë është konsideruar e padobishme dhe joefikase. Vetëm në gjashtë vitet e fundit sekuestrimet kapin vlerën e 180 milionë Euro, ndërsa konfiskimet vetëm 3.5 milionë Euro. Kurse edhe pas kalimit të më shumë se një viti prej hyrjes në fuqi të Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë, ekziston vetëm një rast i identifikuar i zbatimit të tij në praktikë. Vetëm NJË rast.
Ajo që kemi parë është hezitimi i organeve të rendit për të ndjekur pasurinë e paligjshme, aktakuza jo mirë të përgatitura dhe një zvarritje e gjatë e proceseve gjyqësore që ka bërë që shumë lëndë të parashkruhen dhe si rrjedhojë edhe të humbet mundësia për konfiskim.
Me pak fjalë, ajo që kemi deri tash është një kod penal që nuk mjafton, ligje që nuk adresojnë dhe strategji që nuk kanë dhënë rezultat.
Arsyetime kemi dëgjuar mjaftueshëm. Shumëkush është ankuar në shumëçka. Policia në prokurorë, prokurorët në gjykatës, gjykatësit në prokurorë, e politikanët që kanë zhvatur, në fund, ja kanë lënë fajin drejtësisë. Andaj, tash është koha që këto ankesa t’i heqim sepse do t’i heqim pengesat për konfiskim të pasurisë së paligjshme, përmes një ligji të ri.
Para vetes ne kishim tri opcione:
I pari, të vazhdojmë status quo-në dhe paligjshmërinë.
I dyti, të mundohemi të përmirësojmë legjislacionin ekzistues duke shpresuar se do të përmirësohet sistemi i drejtësisë, dhe
I treti, të synojmë një ligj të ri i cili sjellë një mekanizëm të ri ligjor.
Me këtë koncept dokument ne kemi zgjedhur të tretin. Derisa procesi i Vettingut në drejtësi të realizohet, ne duhet të veprojmë, prandaj po sjellim një ligj të ri, i cili heq të gjitha dyshimet dhe të gjitha pengesat për luftimin e kriminalitetit, dhe në këtë opcion nuk jemi vetëm. Tashmë disa shtete të Bashkimit Evropian, sikurse Irlanda, Sllovenia, Gjermania, si dhe Italia, por edhe Mbretëria e Bashkuar kanë bërë zgjidhje të ngjashme.
Baza e koncept dokumentit që e kemi kaluar dje e që presim që shpejt të kthehet në ligj është krijimi i mundësisë së konfiskimit të pasurisë së paligjshme pa një aktgjykim dënues, pra konfiskimi në procedurë civile e cila mund të iniciohet edhe në mungesë të një aktgjykimi dënues. Kjo hap rrugën që pas konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, ndaj personit të dyshuar të ngritet aktakuzë në fushën penale. Pra, ligji që po synojmë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme me bazë civile e plotëson legjislacionin për konfiskimin e pasurisë në fushën penale. Kështu, aty ku ligjet plotësojnë njëra-tjetrën do të kemi më shumë efektshmëri të shtetit ligjor dhe goditje të krimit dhe korrupsionit.
Ligji i ri nuk do ta prekë kornizën ekzistuese ligjore në fushën e konfiskimit. Në fakt, e gjithë korniza ligjore ekzistuese do të vazhdojë të mbetet në fuqi për të luftuar kriminalitetin. Për më tepër, konfiskimi civil do të shërbejë si mjet i fundit dhe nuk do përvetësojë, në parim, primatin e konfiskimit tradicional penal. Mënyra se si kjo do të funksionojë në praktikë do të varet nga procesi i mëtejshëm i draftimit të ligjit, por ajo që do të ruhet është se ligji i ri duhet të mundësojë që kur dyshohet se pasuria e përvetësuar është bërë në rrugë joligjore atëherë duhet të mundësohet veprimi për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme në rrugë civile.
Në këtë drejtim, ligji i ri do të synojë t’i hap rrugë themelimit të një agjencie të re jo prokuroriale, e cila synon të jetë e specializuar për luftimin e kriminalitetit dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme e të pajustifikueshme. Kjo agjenci do të jetë e pavarur dhe do të ketë për funksion hetimin e pasurisë së pajustifikueshme në fushën civile.
Por, edhe agjencia e re që synojmë të themelojmë nuk është diçka e re dhe e padëgjuar. Në Britani të Madhe kemi Agjencinë për Krime të Rënda e cila është komplementare me organet e ndjekjes, pastaj kemi Bullgarinë me Komisionin për Luftimin e Korrupsionit dhe Pasurive të Paligjshme si organ shtetëror i pavarur etj.
Pra, kemi edhe shembujt edhe përvojat që do t’i ndjekim për të siguruar se procesi do të jetë i suksesshëm.
Natyrisht se një ligj i tillë nuk do të kalojë pa debat parlamentar e shoqëror. Koncept dokumenti që u miratua dje tashmë ka kaluar në procesin e rregullt konsultues dhe do të vazhdojë në procedurë të rregullt, me debate e me konsultime shteruese në mënyrë që t’i heqim të gjitha dilemat dhe të marrim të gjitha garancitë se ligji i ri nuk do të cenojë pronën private dhe liritë elementare. Mirëpo, çdo diskutim nuk e ndryshon synimin e qëllimin e krijimit të mundësisë së konfiskimit të pasurisë së paligjshme në rrugë civile. Ajo që është e pashpjegueshme, e paarsyetueshme, e pajustifikueshme nuk mund të jetë e ligjshme.
Të dashur qytetarë,
Vendi ynë është i vogël dhe i varfër por qytetarët tanë janë të ndershëm e të përgjegjshëm dhe duan një shtet të drejtë dhe të barabartë. Shteti juaj me qeverisjen tonë e tuajën duhet t’i jap fund e do t’i jap fund epokës së deritanishme ku dominonte parulla: “Rroga e vogël, fitimi i madh!”.
Askush nga ne nuk mund të shpenzojë pasurinë që nuk e fiton. Në jetën e përditshme ne skuqemi kur na bie zori që të kërkojmë diçka hua, dhe bëjmë gjithçka që të jetojmë brenda mundësive tona, nga rroga dhe puna jonë e ndershme. Por, ju e dini se për shumë kohë, ata që kishin duart në buxhetin e shtetit nuk ju mjaftonin pagat e privilegjet por përvetësuan pasuri që nuk e justifikojnë dot. Kjo nuk është e drejtë dhe as e ndershme, prandaj edhe duhet të veprojmë që të krijojmë një shtet ku secili merr fitimin që meriton dhe paguan detyrimin që i takon.
Pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme kurrë nuk është as private e as e ligjshme sepse ajo kurrë nuk është fituar.
Qeveria do të veprojë në pajtim me zotimet e dhëna para qytetarëve e në përputhje me praktikat më të mira për të ndërtuar një shtet të së drejtës me mundësi dhe shanse të barabarta për të gjithë.
Ju faleminderit.