Kanadaja rimbyllet për shkak të valës së tretë
Përballë një valë të tretë COVID-19, dy provincat më të populluara të Kanadasë, Ontario dhe Quebec, kanë marrë masa të rrepta frenimi. Kryeministri i Ontarios, Doug Ford pritet të njoftojë sot një bllokim 28-ditor për të gjithë provincën me 14 milionë banorë. Kanadaja, që ka regjistruar afërsisht 23 000 vdekje që nga fillimi i pandemisë, pritet të kapërcejë pragun simbolik të një milion rasteve COVID-19 brenda pak ditësh, përfshirë më shumë se një të tretën në Ontario.
Provinca ka konfirmuar më shumë se 2 000 raste të reja çdo ditë, një shifër që është dyfishuar në një muaj, ndërsa shtrimet në spital janë rritur në 41,7 % në dy javët e fundit, raporton ATSh.
“Vala e tretë ka mbërritur dhe ajo po mbizotërohet nga variante shqetësuese”, paralajmëruan ekspertët shëndetësorë të Ontarios në një raport të lëshuar sot.
Quebec, provinca e dytë më e prekur, ka vendosur gjithashtu kontrollin në disa rajone përveç një shtetrrethimi nate në fuqi që nga fillimi i janarit, një masë e pashembullt në Kanada në shkallën e një province që nga epidemia e gripit spanjoll një shekull më parë.
Këto njoftime u përgjigjen masave më të rrepta të kufizimit që janë rekomanduar kohët e fundit nga autoritetet shëndetësore në Kanada, për të luftuar kundër varianteve që konsiderohen të jenë më të transmetueshme dhe më ngjitëse