24 vjet nga rënia heroike e Ilaz Kodrës
Janë bërë 24 vjet që nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra, i cili ka qenë pjesë e celulave të para të UÇK-së dhe pjesëmarrës i të gjitha luftërave në Drenicë dhe rrethinë.
Kodra u lind më 3 maj të vitit 1966 në lagjen Kodra të Prekazit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren dhe shkollën e mesme, Gjimnazin, i ka kryer në Skenderaj. Pas kryerjes së shkollës së mesme, regjistrohet në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë. Shërbimin e detyrueshëm ushtarak e ka kryer në Slloveni.
Në prill të vitit 1999, forcat okupatore serbe të goditura ashpër nga aeroplanët e NATO-s mllefin dhe zemërimin po e derdhnin kundër popullatës civile, duke pushkatuar e masakruar kudo ku ata bënin përpjekje të mbijetonin, në kushte dhe rrethana të një rrethimi të hekurt.
Me të marrë lajmin se forcat serbe po bënin përpjekje të mësynin popullatën civile në fshatin Verboc e Shtuticë, Ilaz Kodra niset për t’i shkuar në ndihmë popullatës.
Në mëngjes herët, rreth orës 5.30 fillon breshëria e sulmit nga forcat armike, të cilat kishin rrethuar vendi në formë patkoi. Ilaz Kodra, në luftë ballë për ballë kundër forcave serbe, bie në altarin e lirisë më 30 prill të vitit 1999, në fshatin Shtuticë.
Komuna e Drenasit dhe ajo e Skenderajt, sot do të bëjnë homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve, si dhe do të bëhet zbulimi i pllakave përkujtimore në fshatin Shtuticë dhe Gllobar. /Klankosova.tv.