141 fëmijë të sëmurë me “Kollën e keqe”, paralajmërohet inspektim në çerdhe
Sipas të dhënave nga Qendra e shëndetit publik, numri i të prekurve nga “Kolla e keqe” në Shkup ka arritur në 141, ndërsa gjatë ditës së sotme janë regjistruar edhe tre raste të reja.
Numri i rasteve me “Kollën e keqe” në vend ka detyruar KSI-në të rekomandojë inspektimin në çerdhe për të kontrolluar nëse ka fëmijë të pavaksinuar. Po ashtu nga ky komision kanë apeluar te prindërit për vazhdimin e vaksinimit me pertusis.
Qytetarët e anketuar thonë se pjesërisht i kanë të vaksinuar fëmijët e tyre dhe presin sa më parë të kryejnë këtë obligim të rëndësishëm.
“Fëmijët i kemi vaksinuar rregullisht, por momentalisht janë disa viruse dhe i kemi anuluar disa vaksina, faktikisht një na ka ngelur, por do të mundohemi pasi të shërohen fëmijët, që t’i kryejmë edhe ato. Vaksinimi është detyrim, por edhe pozitive për fëmijët për mbrojtjen e imunitetit nga disa sëmundje. Edhe vaksinën diteper e kanë marrë.”, – tha një qytetar.
“Jo, është vaksinuar me dy apo tri. Po tash desha t’ia jap.”, – tha një qytetar tjetër.
“Është e vaksinuar me të gjitha vaksinat.”, – u shpreh një qytetare për TVM2.
Nga Inspektorati Sanitar Shëndetësor thonë se do të kryhen inspektime të jashtëzakonshme nëpër çerdhe për fëmijët e pavaksinuar.
“Inspektorati Sanitar Shëndetësor do të fillojë inspektime të jashtëzakonshme nëpër çerdhet e fëmijëve. Fëmijët, që nuk kanë marrë vaksinën diteper, do t’u ndalohet të shkojnë në çerdhe. Në momentin kur rekomandimi i KSI-së, që është dhe organi këshillëdhënës i ministrit të Shëndetësisë nuk pranohet, sillet vendim nga ana e Ministrisë të obligohet inspektorati për t’i kryer inspektimet e jashtëzakonshme. Për muajin mars nga inspektorati janë paraparë inspektime të rregullta nëpër punktet e vaksinimit në vend.”, – theksoi drejtoresha në Inspektoratin Shëndetësor, Renata Mlladinovska.
Më 15 mars pritet të arrijnë vaksinat për “Kollën e keqe” edhe për të rriturit, si dhe do të mundësohet testimi pisiar në tërë vendin për pertusis.