109 vjeçari nga Likova/Kumanova, personi më i moshuar në Maqedoni! Baba i 7 djemve dhe 7 vajzave!
Në fshatin Llojan të komunës së Likovës jeton një i moshuar që ka më shumë se një shekull jetë. Quhet Ramiz Selmani i lindur më 10 tetor të vitit 1914. Ai konsiderohet të jetë njeriu më jetëgjatë i gjallë në komunën e Likovës dhe Maqedoninë e Veriut, shkruan Open-TV.
Edhe djali i tij Besniku e thotë një gjë të tillë. “Kur në kohën e pandemisë shkuam ta marrim vaksinën, kur mjekët ia panë librezën, më thanë se babai im qenka njeriu më i vjetër në Maqedoni”, deklaron Besnik Selmani për Open-TV.
Djali Besniku me babain e tij Ramiz Selmani
Baci Ramiz ka lindur në kohë të turbullta, disa muaj para se të nis lufta e parë botërore. E ka përjetuar edhe luftën e dytë botërore, periudhën e komunizmit dhe së fundmi periudhën e demokracisë.
Prindërit e tij janë quajtur Rexhep dhe Hajrije. Ata kanë qenë 4 djem dhe një vajzë. Baci Ramiz ka qenë fëmija i dytë me radhë, pas Asllanit dhe para Shefkiut, Kadirës dhe Fejziut.
Ai ka 14 fëmijë, 7 djem dhe 7 vajza dhe 58 nipër e mbesa.
Ramiz Selmani për shumë vite ka qenë drejtor në minierën e Llojanit.
Djali i tij Besniku tregon se babai i tij për shëndetin që gëzon më shumë ka përdorur bylmet dhe pemë.
“E ka pasur gjendjen e mirë ekonomike dhe ka jetuar shëndetshëm. Tani ende po mbahet, edhe pse nganjeherë po e lëshon koncentrimi”, thotë djali i tij Besniku, për babain e tij, për njeriun më të vjetër në vendin tonë. (Open-TV)