Kurti për emërimin e Jasharit në krye të FSK-së: Ushtrisë i duhet ushtari me zemrën plot dashuri për atdheun
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar emërimin e gjeneralmajor Bashkim Jasharit në krye të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pas largimit të Rrahman Ramës.
Kurti ka pohuar ka pohuar se ushtrisë i duhet ushtari me zemrën plot dashuri për atdheun, dhe i tillë është gjeneralmajori Bashkim Jashari.
“Ushtrisë që i shërben popullit, i duhet ushtari me zemrën plot dashuri për atdheun, ushtari që të përbashkëtën e vetëmohimin i lartëson në detyrën që i besohet, ushtari që të ardhmen e sheh përmes idealit të dëshmorit. Të gjitha këto vlera i zotëron gjeneralmajori Bashkim Jashari, nipi i Komandantit Legjendar, i Kryekomandantit Adem Jashari. E, nga sot ai është Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Kurti.
Tutje, ai ka pohuar se “ushtria jonë është e re, por me pjekuri të thellë e histori të lavdishme”.
“Vazhdimësia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës, është shtylla jonë e fortë mbi gurthemelin e Republikës.
Komandantit Jashari i dëshiroj punë të mbarë në detyrën e tij të re. Gjenerallejtnant Rrahman Ramën e falënderoi për kontributin e tij dhe po ashtu i dëshiroj suksese në angazhimin e mëtutjeshëm si përfaqësues yni në RACVIAC”.