Sport

Zvicra nderon Blerim Xhemailin për kontributin 12 vjeçar

Blerim Xhemaili është pensionuar nga futbolli aktiv në fund të sezonit të kaluar pas një karriere të shkëlqyer. Ish-mesfushori shqiptar ka bërë një karrierë të gjatë në klube të mëdha si Cyrih, Bolton, Torino, Parma, Napoli, Gallatasaraj, Xhenoa, Bolonja, Montreal Impact e Shenzen.

Xhemaili i dha fund karrierës së tij aty ku e nisi te FC Zurich, derisa ka dhënë kontribut të madh edhe te Përfaqësuesja e Zvicrës. 37-vjeçari ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Zvicrës, derisa te ajo A ka zhvilluar 69 ndeshje. Ish-legjenda e Zurichut në 12 vite sa ishte pjesë e Zvicrës nga 2006 deri më 2018 ka realizuar 10 gola dhe ka asistuar në gjashtë të tjerë.

Në ndeshjen e fundit që Zvicra e zhvilloi ndaj Bjellorusisë, Xhemaili u nderua nga Federata e Futbollit të Zvicrës dhe mori duartrokitje të panumërta nga tifozët për kontributin e dhënë për helvetikët.