Rajon - Botë

Zviceranët ndezin 11.288 qirinj – nga një për çdo viktimë të COVID-19

Para ndërtesës së Parlamentit federal në Bern të Zvicrës, janë ndezur 11.288 qirinj – nga një për çdo viktimë të coronavirusit gjatë pandemisë që shpërtheu pothuajse dy vite më parë.

Ndezja e qirinjve në shesh, që njëherit është qendra e politikës së vendit, kanë marrë pjesë dhjetëra vullnetarë, transmeton Telegrafi.

Një ngjarje e ngjashme është mbajtur edhe vitin e kaluar, ku me këtë veprim dëshironin të krijojnë një hapësirë ku do të mund t’i kushtohej të gjitha viktimave duke vajtuar për ta – kështu të paktën pretendon Simon Gehren në emër të lëvizjes “Corona – kujtime”.

Ai ka porositur se kjo ngjarje është njëherit thirrje për autoritetet, që të bëjnë më shumë që të zvogëlohet numri i të infektuarve me coronavirus.

Zvicra, që ka rreth 8,6 milionë banorë, javëve të fundit është ballafaquar me një rritje të dukshme të rasteve të reja me COVID-19.

Masat në këtë vend janë akoma të buta për dallim nga vendet fqinjë si Austria dhe Gjermania. Sipas të dhënave zyrtare, në Zvicër me coronavirus janë të infektuar mbi 1 milion banorë.