Zvicër: 14 vjet burgim për kamarierin nga Lugina e Preshevës, plagosi dy kosovarë
14 vjet burgim dhe 15 vjet dëbim nga Zvicra.
Ky është vendimi që ka marrë para disa ditësh Gjykata e Qarkut në Munchwillen për shqiptarin nga Lugina e Preshevës, i cili kishte plagosur dy shqiptarë nga Kosova.
Po ashtu, ai duhet t’i paguajë shpenzimet gjyqësore dhe dëmshpërblimin për viktimat në vlerë prej 130 mijë frangash.
Ngjarja ka ndodhur në maj të vitit 2021, ku kishte pasur një përplasje në mes të autorit i cili në atë kohë punonte si kamarier, në lokalin Kulthaus në Rickenbach, shkruajnë mediat zvicerane, transmeton Klankosova.tv
Përplasja mes tyre kishte ndodhur për shkak të masave anti-COVID që ishin në fuqi.
36-vjeçari nga Lugina e Preshevës, i kishte qëlluar me armë zjarri të dy kosovarët nga afërsia, duke i plagosur, njërin prej tyre në rrezik për jetën.
Siç shkruan Tagblatt.ch, konflikti i parë kishte ndodhur rreth tri javë para rastit të plagosjes.
Ndërkaq rasti i dytë, kishte ndodhur në natën kritike kur viktimat kishin shkuar për t’i qëruar hesapet me kamarierin.
Në procesin gjyqësor, shqiptari nga Lugina tha se e kishte bërë në vetëmbrojtje aktin dhe se kishte pasur për qëllim t’i frikësonte viktimat.
Por, deklarimi i të pandehurit nuk është besuar nga gjykata.
Ai tani gjendet në paraburgim prej një kohe të gjatë.
Kamarieri nga Lugina e Preshevës, ishte arratisur por u arrestua në Hungari, për t’u ekstraduar më pas për në Zvicër.
Vendimi nuk llogaritet ende i plotfuqishë, shkruajnë mediat zvicerane, transmeton Klankosova.tv