Zv/kryeministri Fetai nga Prishtina: Kontrollohen kamerat e aeroportit, nëse do të konstatohet shkelje, do të ketë përgjegjësi për incidentin me presidenten Osmani
Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë të RMV-së, Arben Fetai pas incidentit të djeshëm me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, ka shfrytëzuar vizitën e tij në Prishtinë për të takuar zyrtarët e lartë të atjeshëm.
Përmes një sqarimi në rrjetet sociale, Fetai bën me dije se në takimin që ka pasur me Ministren e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla i ka premtuar kësaj të fundit se do të ketë përgjegjësi për rastin në fjalë dhe se institucionet tona punojnë në këtë drejtim duke parë edhe incizimet e kamerave të aeroportit.
“Pas incidentit të djeshëm në aeroportin e Shkupit, në mes të personelit privat të sigurisë të angazhuar nga kompania TAV dhe ekipit të Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, shfrytëzova praninë time në Prishtinë për të takuar Ministren e punëve të jashtme, znj. Donika Gërvalla. E informova Ministren Gërvalla se institucionet tona janë duke i kryer hetimet e nevojshme dhe se do të ketë përgjegjësi për çdo shkelje që do të mund të konstatohet nga incizimet e kamerave të aeroportit. I dëgjova shqetësimet e Ministres, e cila më njoftoi se sjellje të pahijshme karshi delegacioneve të larta të Republikës së Kosovës ka patur në mënyrë të përsëritur përgjatë viteve nga ana e personelit të sigurisë të angazhuar nga kompania në fjalë”, shruan zv.kryeministri Fetai.
Thotë se me ministren Gërvalla janë pajtuar se “raportet ndërshtetërore në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës janë të shkëlqyera dhe se do të angazhohemi bashkërisht për t’i thelluar ato edhe më tej, mbi bazën e partneritetit, si shtete aleate që ndajnë vlera të përbashkëta dhe janë të lidhura ngushtë në cdo rrafsh”.