MaqedoniOpinion

Zonat e lira ekonomike në vendbanimet shqiptare të harruara nga pushteti

Shkruan: Burim Latifi

Zonat zhvillimore teknologjike industriale (TIDZ) ose siç njihen ndryshe si Zonat e lira ekonomike janë qendra në të cilat janë përqëndruar aktivitete prodhuese dhe zhvillim i teknologjive të reja, kryesisht për kompani të huaja.

Këto investitorë në zonat e lira ekonomike lirohen nga tatimi mbi të ardhurat personale për 10 vitet e para, nga tatimi i vlerës së shtuar dhe akcizat doganore për mallrat, lëndët e para, pajisjet dhe makineritë. Përveç kësaj, mund tu ndahen deri në 500,000 € për kostot e ndërtimit në varësi të vlerës së investimit dhe numrit të të punësuarve. Kompanitë gjithashtu kanë edhe përfitime tjera infrastrukturore.

SHPËRNDARJA RAJONALE

Në Maqedoninë e Veriut ka 15 zona të lira ekonomike (TIDZ), të paraqitura në tabelën e mëposhtme, ku shihet poashtu një shpërndarje absolutisht jo e drejtë rajonale. Vetëm për ilustrim, në rajonin e Pollogut ka një zone të lirë ekonomike, ajo e Tetovës edhe atë e themeluar me partneritet publiko-privat (PPP), ndërsa në rajonin Lindor ka katër zona të lira ekonomike, zona e Shtipit, Berovës, Vinicës dhe Dellçevës. Gjithashtu, rajoni Jug-Lindor ka 3 zona të lira, ajo e Strumicës, Gjevgjelisë dhe Radovishit. Njejtë edhe rajoni i Shkupit, i cili ka 3 zona të lira ekonomike, Shkupi 1, 2 dhe 3. Pra, që në këtë moment mund të prejudikohet si është situata me investimet.

Në parim, gjatë elaborimit të rolit të investimeve direkte të huaja për ekonomitë lokale, vend shumë të rëndësishëm zë pikërisht ndikimi i tyre në zhvillimin e barabartë rajonal si dhe zvoglimin e diferencës mes rajoneve. Për fat të keq, për shkak të paaftësisë dhe mosinteresimit të ekzekutivit, është rritur ndjeshëm hendeku i zhvillimit të barabartë rajonal, hendek i cili edhe ashtu ka qenë prezent për shkak të padrejtësive historike.

Këtë e vërteton edhe hulumtimi i realizuar në periudhën 2015-2021 për investimet e huaja në zonat e lira ekonomike, ku dëshmohet se në vend se të nxisin zhvillimin të të gjitha rajoneve, ato vetëm se kanë thelluar hendekun e zhvillimit rajonal.

HENDEKU MES RAJONEVE VETËM RRITET

Për shembull, rajoni Lindor ku bëjnë pjesë zona e Shtipit, Berovës, Vinicës dhe Dellçevës, i prinë listës së investimeve të huaja me 338 euro investime për kokë banori duke përbërë 9.2% e totalit. Pellagonia, ku bën pjesë zona e lirë e Prilepit është e dyta me 270 euro investime për kokë banori duke përbërë 10.1% e totalit. Më tutje, zona e Shkupit apo Bunarxhik, ku bëjnë pjesë zona Shkupi 1,2 dhe 3, është dukshëm rajoni më i pasur, me 252 euro investime për kokë banori, apo 51.4% e vlerës totale të investimeve, dhe Pollogu, është më i varfri me investime të huaja, me 41 euro të investuara për kokë banori, apo 2.4% e investimeve totale. Në Pollog, TIDZ kanë kontribuar në krijimin e vetëm 29 vendeve të reja pune për 10,000 banorë, krahasuar për shembull me Rajonin Lindor, ku janë krijuar 130 vendeve të reja pune për 10,000 banorë.

SHEMBUJ KONKRET

Në vazhdim do të elaborojmë disa investime konkrete për të pare edhe më konkretisht diskriminimin që u bëhet vendbanimeve shqiptare.

• Vitin e kaluar filloi realizimi i një investimi nga Tajvani, konkretisht kompania “YAGEO” me investim në viere prej 205 milion euro duke hapur 1 fabrikë në zonën e lirë të Shkupit dhe 3 tjera që duhet ti hap në zonën e Shtipit, me rreth 4,000 vende të reja të punës.

• Ne Shtip, funksionon kompania “Magnamechatronics, e cila projekton, zhvillon dhe prodhon module dhe komponente automobilistike me 600 vende pune.

• Ne Kavadar, jane te punësuar rreth 6,000 veta ne kompanite e huaja, ku vend të veçantë zënë kompanite “Draxlmaier” dhe “Coficab”.

• Kompania amerikane Adient realizoi investim në zonën e lirë të Strumicës në vlerë rreth 10 milionë dollar dhe rreth 1300 punësime të paralajmëruara.

• Në zonën ekonomike të Shkupit ka investuar edhe kompania farmaceutike germane “Gersheimer” rreth 200 milione euro, duke hapur rreth 500 vende pune.

• Kompania gjermane WIK ka realizuar investim në zonën e lirë të Prilepit me rreth 12 milion euro investim dhe 1000 punësime të paralajmëruara.

• Ne Shkup funksionon kompania e njohur “Johnson Matthey” një kompani britanike me renome boterore per prodhimin e konvertuesve katalitike per industrinë e automobilave, me rreth 100 milion euro investim dhe rreth 350 të punësuar.

• Veibo Grup në zonën e lirë Rankovce.

• Dhe një sërë investimesh tjera siç janë Vitillo në Shkup, Technical Textiles në Shtip, Condevo në Shtip, Costal-Ohër – “KEMET Electronics” në Shkup, “Prodis” në Shkup dhe “DURA Automotive” në Shkup.

• Poashtu ne lindje te shtetit në qytetin e Manastirit, jashtë zonave të lira kemi kompaninë KROMBERG & SCHUBERT në fushën e prodhimit të kabllove, rrjeteve, teknologjise automobilistike me 5500 punëtor.

Sikur mos mjaftojë kjo, Drejtoria për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale po investon 29 milion euro shtesë në zonat e lira në Shkup, Shtip dhe Prilep, mjete të dedikuara për ndërtimin e çerdheve dhe ambulancave brenda në zonat ekonomike, me qëllimin e vetëm që këto zona ti bëjnë edhe më atraktive për punësim, rrjedhimisht më atraktive edhe për investime të reja.

Prandaj, kur dëgjojmë broçkulla të tipit po e synojmë barazinë e plotë, do të dukeshte komike, po mos të ishte tragjike. Në fakt, ka vetëm një mënyrë që disi rajonet shqiptare të afrohen në këtë rënditje të investimeve të huaja. Vetëm nëse kazinotë pushteti i evidenton si investime të huaja, ato i kemi me bollëk, shumë më shumë sesa në Maqedoninë Lindore.

E sa i përket përkatësisë etnike të menaxhmenteve të kompanive të huaja, punësimet në to e bashkëpunimin me biznesin vendor, në një okazion tjeter.

*Autori është profesor universitar në Universitetin Nënë Tereza në Shkup