Zjarri në Malin Sharr është zgjeruar, kërkohet mbështetje ajrore për shuarjen e tij
Zjarri në Malin Sharr mbi fshatin Veshallë në Komunën e Tetovës i cili është aktiv nga pasditja e djeshme, ku dje digjej bar i thatë, sot është zgjeruar dhe ka përfshirë edhe pyje ahu, informojnë nga Qendra për Menaxhim me Kriza, transmeton Portalb.mk.
Për shuarjen e zjarrit, i cili është në terren të paqasshëm nga QMK thonë se, është kërkuar që të intervenohet me mbështetje ajrore.
Mëngjesin e sotëm në 06:55 në terren veç më janë dërguar 10 renxherë nga Parku Kombëtar “Mali Sharr” nga Tetova, por është kërkuar ndihmë edhe nga institucionet tjera kompetente.
“Nga terreni është kërkuar mbështetje urgjente ajrore për shkak tëpamundësisë që zjarri të vihet nën kontroll. Nga QMK është kërkuar mbështetje ajrore nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa perms qendrës rajonale për menaxhim me kriza nga Tetova është kërkuar nga zjarrikësit tetovarë të dërgojnë kamion me ujë i cili është i nevojshëm që renxherët të intervenojnë”, thonë nga QMK.
Për zjarrin mbrëmë informuan nga QMK ku thanë se, janë dërguar ekipe që të intervenojnë, por për shkak të terrenit të keq dhe të paqasshëm dhe për shkak se është bërë natë, renxherët nga Parku Kombëtar “Mali Sharr” janë tërhequr nga terreni.