Kolumna

Zgjidhja e konfliktit Serbi-Kosovë, rruga kryesore për të dalë nga “moçali” ballkanik

Nga Edward P.Joseph, Wilson Center

Pse edhe pas 20 viteve nga lufta e fundit, Ballkani është ende një “moçal”? Pse një rajon që gëzon një privilegj unik – një mundësi për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO – është ende peng i liderëve etno-nacionalistë të cilët bëjnë haptazi thirrje për versione të përditësuara të “Serbisë së Madhe”dhe “Shqipërisë së Madhe”?

Dhe pse Rusia është e gatshme që të përjetësojë ndarjet në rajon, apo Kina të gjejë një terren kaq pjellor për projektet e saj sabotuese?Me një fjalë, problemi qëndron tek mekanizmat e ndikimit. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk kanë fuqi që ta zgjidhin çështjen e Kosovës. Dhe pamundësia për ta bërë këtë,e ka lënë jo vetëm Kosovën por edhe Serbinë të lëngojë në harresë.

Çështja e pazgjidhur e Kosovës, e ndërlikon funksionimin e shtetit federativ tre-palësh në Bosnje Hercegovinë, apo edhe aftësinë e Malit të Zi për të arritur një formulë të qëndrueshme që serbët dhe malazezët atje të jetojnë së bashku në një shtet të pavarur.

Ekziston një mënyrë për të rivendosur mekanizmat perëndimore. Alternativa nuk kërkon asnjë ndryshim të ndonjë pozicioni thelbësor të ndonjë vendi të BE-së ndaj Kosovës. Por kërkon korrigjimin e ndarjeve të brendshme të BE-së mbi Kosovën, që përbën thelbin e gjithë ngërçit mbi Ballkan.

Për shkak se 5 vende të BE-së nuk e njohin Kosovën si shtet, Perëndimi “ka nevojë” për Serbinë më shumë sesa Serbia ka nevojë për Perëndimin. Ky çekuilibër, është produkt i pozicioneve të Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë, Greqisë dhe Qipros mbi anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Me njohjen unanime të Kosovës nga të gjitha vendet e BE-së dhe NATO-s, Kosova do të kishte një rrugën e hapur, së pari drejt NATO-s, dhe pastaj drejt pranimit në BE. Anëtarësimi në NATO dhe BE janë shumë më të rëndësishëm për Kosovën sesa anëtarësia në OKB, qënuk është parakusht për t’u bashkuar me 2 të parat.

Mjerisht, bllokimi i Kosovës nga 5 vendet anëtare të BE-së dhe 4 të NATO-s(Qipro nuk është anëtare e NATO-s) i jep fuqi Beogradit. Dhe epërsia serbe mbi Kosovën, e ka dëmtuar strategjinë perëndimore, dhe ka nxitur një dinamikë të rrezikshme.

Qeveria më antidemokratike në rajon, partnere strategjike e Rusisë dhe Kinës, regjimi në Serbi i udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vucic, ka një trajtim më të favorshëm nga Perëndimi. Në kundërshtim me synimet e administratës Biden për promovimin e demokracisë, por edhe me mësimet e luftës së vazhdueshme kundër forcave anti-demokratike në SHBA, zyrtarët amerikanë dhe evropianë, vazhdojnë të lavdërojnë rregullisht regjimin e Vucic, në vend se ta konsiderojnë atë përgjegjës për shumë gjëra negative që po ndodhin në rajon.

Muajin e kaluar, një zyrtar i shquar perëndimor e lavdëroi sërish Beogradin si “udhëheqësi politik dhe ekonomik në rajon”.Në vend se të inkurajojë reformat atje, lavdet ndaj qeverisë serbe po dekurajojnë opozitën demokratike dhe po i japin më shumë legjitimitet regjimit.

Mungesa e levave ndikuese të Perëndimit në rajon, bëri që diplomatët e SHBA-së dhe BE-së të mbështesnin një plan të ndarjes së territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, që dëmton vetë parimin e bashkëjetesës demokratike mbi të cilin mbështetet stabiliteti i gjithë rajonit. Uashingtoni dhe Brukseli janë distancuar për momentin nga ideja e shkëmbimeve territoriale, por ajo është sërish në tryezë.

Kjo u pa muajin e kaluar me botimin e një skeme tjetër të ndryshimeve etno-territoriale, këtë herë për të ndarë Bosnje-Hercegovinën dhe për të bashkuar Kosovën me Shqipërinë.

Mohimet nga SHBA dhe BE se nuk kanë dijeni mbi dokumentin jo-zyrtar të qeverisë sllovene, dhe ripohimet e fundit mbi perspektivën e integrimit evropian të Ballkanit,nuk i kanë zbehur aspak dyshimet. Për t’i dhënë kuptim riafirmimeve mbi integrimin evropian dhe euro-atlantik, Brukseli dhe Uashingtoni duhet të gjejnë mjetet për t’u angazhuar me Serbinë në të njëjtin nivel siç bëjnë me fqinjët e Serbisë. Ky është një moment i një konfuzioni unik.

Gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë dhe Kosovën, janë zotuar zyrtarisht të mos pengojnë rrugëtimin evropian të fqinjëve të tyre. Ka ardhur koha t’i detyrojmë ata që t’i përmbahen këtij zotimi.

Në bashkëpunim me partnerët e tij evropianë, Uashingtoni mund të nxisë arritjen e një marrëveshje unanime për dy parime të qarta, një të zyrtarizuar nga BE dhe tjetrën nga NATO. Këto dy parime plotësuese – të komunikuara fillimisht dhe posaçërisht për Serbinë dhe Kosovën – do të përjashtojnë agresionin politik, të manifestuar në formën e“fushatës së mosnjohjes së Serbisë kundër Kosovës”, dhe nga promovimi në Kosovë i tezës për “bashkimin me Shqipërisë”.

Që të dyja këto janë forma të patolerueshme të luftës me mjete të tjera. “Fushata e mosnjohjes” është një akt i izolimit dhe armiqësisë ndëshkuese ndaj Kosovës, dhe shkel zotimet e shprehura të vetë Serbisë. Ndërkohë, “bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë”përbën një agresion kundër Serbisë dhe serbëve të Kosovës.

Ai përfaqëson gjithashtu një shkelje të angazhimeve të Shqipërisë ndaj aleatëve të saj në NATO, dhe do të dëmtonte në mënyrë të pariparueshme aspiratat e anëtarësimit të Kosovës në aleancë. Të dy parimet i kërkojnë Serbisë dhe Kosovës që më në fund të mbajnë zotimet zyrtare që ata kanë bërë ndaj njëri-tjetrit, dhe të ndërpresin agresionin e tyre politik.

Parimi i BE-së bazohet në faktin se Serbia dhe Kosova do të kenë marrëdhënie të zyrtarizuara me BE-në – kandidaturën në rastin e Serbisë, dhe një Marrëveshje Stabilizimi dhe Asociimi në rastin e Kosovës. BE nuk po i kërkon Serbisë që të njohë Kosovën, por kjo nuk i jep Beogradit të drejtën që të vendosë standarde për atë që Kosova lejohet apo jo të bëjë në bazë të marrëveshjes së saj të asoocimit me BE-në.

Presidenti amerikan Joe Biden dhe Sekretari i Shtetit Blinken, kanë dëshmuar tashmë udhëheqjen shumë të nevojshme amerikane në Ballkan, përmes komunikimeve të drejtpërdrejta me udhëheqësit rajonalë. Uashingtoni do të ketë në BE aleatë të etur për ta mbyllur kapitullin e Kosovës, dhe për ta vendosur më në fund Ballkanin në rrugën e stabilitetit të udhëhequr nga Evropa.

Administrata mund të përgatisë nënshkrimin me Kosovën të një Traktati të Mbrojtjes së Ndërsjellë, të ngjashme me atë që SHBA-ja ka nënshkruar me Korenë e Jugut. Një pakt i tillë do të siguronte një siguri të madhe për Kosovën sesa ajo që ofron aktualisht KFOR.

Traktati i Mbrojtjes së Ndërsjellë, do të sillte një reflektim të thellë në Beograd, pasi do t’i jepte fund strategjisë së regjimit për dobësimin e Kosovës.

Lufta me mjete të tjera, është e zbatueshme vetëm nëse arrihen mjetet politike. Parimet e reja do të sillnin dobësimin e pozitave të Vucic. Aktualisht, ky i fundit mund të pretendojë se ka fituar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, edhe pse praktikon politikat neo-millosheviçiane. Sipas parimeve të reja kjo nuk mund të ndodh më. Pasi Beogradi do të ishte më në fund përgjegjës për gjithçka që bën brenda dhe jashtë vendit. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

*Marrë me shkurtime

Shënim:Edward P.Joseph, është anëtar i Grupit të Punës së Qendrës Wilson për Ballkanin Perëndimor, dhe lektor në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins (SAIS). Ai ka shërbyer për shumë vite si diplomat në Bosnje, Kroaci, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.