BallinaMaqedoni

Zgjerohet hetimi për Lotarinë, arrestohet Artan Ajruli nga Kumanova

Arrestohet Artan Ajruli, pronar i kompanisë “Ritron kopi” nga Kumanova. Arrestimi i tij vjen pas zgjerimit të hetimeve për keqpërdorime në Lotarinë Shtetërore, për të cilën akuzohen Bajrami dhe ish zëvendëskryeministri Artan Grubi, të cilët tashmë janë në arrati.

Krahas padisë për Ajrulin, Policia Financiare ka dorëzuar padi të re edhe për ish drejtorin Përparim Bajrami, por edhe për dy drejtorë të Lotarisë, gjegjësisht për shitje Sali Rushiti dhe çështje komerciale si dhe për Teknologji Informatike Mujdin Zeqiri.

Bajrami, në cilësinë e drejtorit të Lotarisë, në periudhën prej vitit 2022 deri në vitin 2024, sipas Policisë Financiare i ka tejkaluar kompetencat duke nënshkruar fatura me përmbajtje të pavërteta për furnizimin e televizorëve, printerëve, kompjuterëve dhe pajisjeve komunikuese. Faturat, janë përgatitur nga Ajruli, si pronar i “Ritron Kopi” edhepse pajisjet elektronike nuk janë dorëzuar sipas modeleve të parashikuara në marrëveshjen për furnizime publike.

Në këtë mënyrë, sipas Policisë Financiare, kompanisë së Ajrulit i është mundësuar që të përfitojë pasuri të paligjshme në vlerë prej 50.000 euro.

“I paraqituri A.A. në cilësinë e pronarit dhe drejtuesit të subjektit juridik “Ritron Kopi” Kumanovë bashkë me të paraqiturin e parë P.B. në periudhën prej vitit 2022 deri në vitin 2024, i kanë shkelur dispozitat e procedurës për ndarjen e marrëveshjes për furnizim publik, duke i shfrytëzuar lidhjet e tyre miqësore, paraprakisht i kanë përshtatur specifikimet teknike për furnizimin e televizorëve me qëllim që të sigurohen që si ofertues më i përshtatshëm të jetë Ritron Kopi”, thonë Policia Financiare.

Sipas Policisë, Ajruli informata i ka shfrytëzuar që paraprakisht të kryejë import të llojeve dhe modeleve të televizorëve për të cilët janë marrë vesh dhe me këtë është vënë në pozitë të favorshme para ofertuesve të tjerë. Me këtë, sipas Policisë Financiare Bajrami i ka mundësuar Ajrulit dhe subjektit tij juridik Ritron Kopi që të përfitojë pasuri të paligjshme në tre marrëveshje për furnizim të televizorëve në vlerë mbi 200 mijë euro.

I paraqituri i tretë Sali Rushiti në cilësinë e drejtorit për shitje dhe çështje komerciale në Lotarinë Shtetërore, në periudhën prej vitit 2023 deri në vitin 2024 ka konfirmuar se ka pranuar 107 televizorë nga modele të ndryshëm në vlerë prej mbi 80 mijë euro nga Ritron Kopi, për çka ka nënshkruar pranimin e dërgesës dhe ka bërë procesverbal, të cilët fare nuk janë evidentuar në magazinën dhe pasi është bërë evidencë, të njëjtit fizikisht nuk janë gjetur në hapësirat e Lotarisë Shtetërore, as në hapësirat e bashkëpunëtorëve.

I paraqituri i katërt Mujdin Zeqiri në cilësinë e drejtorit të sektorit për çështje teknologjike në periudhën 2023 – 2024 ka konfirmuar se ka pranuar printerë, pajisje kompjuterike dhe komunikuese në vlerë prej afër 30.000 euro nga subjekti Ritron Kopi, për çka ka nënshkruar për dorëzimin e të pajisjeve, por pas kontrollit këto pajisje nuk janë gjetur as në magazinë e as në hapësirat e Lotarisë.

“Me veprimet e këtilla të ndërmarra, i paraqituri i tretë S.R. në cilësinë e drejtorit të sektorit për shitje dhe çështje komerciale në Sh,A. Për organizimin e lojërave të fatit Lotaria Shtetërore e Maqedonisë së Veriut dhe i paraqituri i katërt në cilësinë e drejtorit të sektorit për teknologji informatike e kanë dëmtuar buxhetin e Lotarisë në vlerë prej 6.7 milionë denarë”, shtuan nga Policia Financiare.

Paraprakisht, VLEN ka akuzuar për keqpërdorime me tenderët pikërisht nga kompania Ritron Kopi. Sipas tyre, Ajruli dhe kompania e tij është e afërt me deputetin e Frontit Evropian, Elmi Aziri. /Alsat.mk