Zgjerimi i Qeverisë: Kovaçevski u takua me Gashin
PRITET PËRGJIGJA E ALTERNATIVËS, QË TË PUBLIKOHEN DETAJE NGA MARRËVESHJE PËR QEVERI
Dimitar Kovaçevski ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e Alternativës, Afrim Gashi të cilin e ka informuar për negociatat për hyrjen e ASH-së në Qeveri. Qeveria pret përgjigjën e Alternativës që të publikojë detaje zgjerimin e Qeverisë dhe për ndryshimet e reja kadrovike, raporton Klan M.
Nga Alternativa nuk kanë dhënë përgjigje për të komentuar këtë takim, por paraprakisht sot gjatë ditës, nënkryetari i Alternativës, Bekim Sali nuk komentoi se cili do të jetë pozicioni i Alternativës, në rast se arrihet marrëveshje për zgjerimin e koalicionit.
“Nuk kemi ende ndonjë ofertë konkrete nga partnerët tanë qeveritarë dhe deri më tani nuk kemi pasur asnjë komunikim me përfaqësuesit e ASH-së në lidhje me interesin e tyre për t’u bërë pjesë e shumicës parlamentare. Kështu që, mbetet në të ardhmen të kemi komunikim dhe të shohim se cilat do të jenë pozicionet e tyre dhe tonat në qeverinë e ardhshme, nëse eventualisht vendosim për të qenë edhe më tutje. Për arsye se, nuk kemi asgjë konkrete në tavolinë, nuk mund të komentojë” – tha Bekim Sali.
Ndërkohë, kryeministri Kovaçevski dje deklaroi se, Alterntiva është partner i rëndësishëm i Qeverisë dhe pret rezultat pozitiv nga takimi.
Në rast se arrihet marrëveshje finale, Aleanca për Shqiptarë do të drejtojë me tre ministri, atë të Shëndetësisë, Drejtësisë dhe një ministri tjetër. Ndërkaq, në mesin e drejtorive që do të udhëheqin janë edhe DAP-i, Policia Financiare dhe Dogana.
Nga ana tjetër, lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski duke komentuar përbërjen e re eventuale qeveritare, tha se për dhjetë muaj sa kanë mbetur deri në zgjedhjet e ardhshme të rregullta, nuk pret që të ndryshojë diçka por, përkundrazi Mickoski vlerëson se, gjërat do të përkeqësohen. /KlanMacedonia/