BallinaMaqedoni

Zgjedhjet presidenciale/Siljanovska kryeson me 111 mijë vota

Кandidatja për president e VMRO-së, Gordana Siljanovska prin në zgjedhjet presidenciale ndaj kandidatit të LSDM-së, Stevo Pendarovski me 111 mijë vota epërsi.

Nga gjithësej 1.814.317, janë numëruar 812.840 vota.

Në këto zgjedhje, që u mbajtën më 8 maj, të drejtë vote kishin 1.8 milion qytetarë të Maqedonisë së Veriut.

Nga rreth 55 për qind të rezultateve të përpunuara, kandidatja e VMRO DPMNE-së për president, Gordana Silanovska-Davkova ka fituar mbi 63 për qind të votave, ndërsa kundërkandidati i saj, presidenti aktual, Stevo Pendarovski, ka fituar rreth 30 për qind të votave.

Dalja në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ishte 46.31 për qind, që nënkupton se është arritur pragu prej 40 për qind që votimet për president të konsiderohen të suksesshme.

Sa i përket zgjedhjeve parlamentare, sipas rezultateve paraprake, VMRO po udhëheq e me rreth 40 për qind të votave të fituara.

Në vend të dytë është radhitur Fronti Evropian që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) me rreth 17 për qind të votave, ndërsa në vend të tretë radhitet koalicioni i opozitës shqiptare VLEN, i cili ka fituar mbi 14 për qind të votave.

Koalicioni i udhëhequr nga Lidhja Social Demokrate, që aktualisht është në pushtet, radhitet në vendin e katërt me mbi 13 për qind të votave.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, dalja në zgjedhjet parlamentare ishte 53.15 për qind, ndërsa qytetarët votuan për 17 parti dhe koalicione të cilat garonin për deputetë të Parlamentit të ri prej 120 ulëseve.