Zgjedhjet presidenciale 2024, Pendarovski në Gjevgjeli, Dojran dhe Valandovë
Kandidati për president i mbështetur nga koalicioni i LSDM-së, Stevo Pendarovski, mbrëmë ka mbajtur tubime në qytetin e Dojranit, Bogdancës, Vallandovës dhe Gjevgjelisë. Qytetarëve të Gjevgjelisë, ai ua shpjegoi rëndësinë e marrëveshjeve të nënshkruara fqinjësore dhe njëherit u tha se rruga e vetme për të përparuar vendi drejt familjes së madhe është përmes respektimit dhe zbatimit të këtyre marrëveshjeve. Në asnjë marrëveshje ndërkombëtare nuk është cenuar identiteti dhe gjuha maqedonase, ndërsa çdo interpretim ndryshe i këtyre marrëveshjeve nga kundërkandidatët e tij është i rrejshëm dhe e kthen vendin prapa.
“Ne jemi këtu në kufirin jugor dhe e dini shumë mirë se që nga shtatori i vitit të kaluar e kemi Frontexin nëpër kufijtë tona dhe cili është dallimi? Deri në shtator të vitit të kaluar kemi pasur vetëm marrëveshje bilaterale me vendet të cilët donin të na ndihmonin me policët e tyre të mbrojnë kufirin jugor, ndërsa nga shtatori e këndej kemi marrëveshje me Frontexin, organizata e BE-së e cila mbron kufijtë në zonën Shengen dhe në atë marrëveshje shkruan se në fund është nënshkruar në gjuhën maqedonase dhe angleze. Garanci më të madhe se kjo nuk ka, për atë se kush dhe çfarë jemi dhe nuk duhet të ketë asnjë hamendje se me këto marrëveshje të arritura nuk preket asgjë që është e çmuar për popullin maqedonas.”, – deklaroi kandidati për president nga LSDM-ja, Stevo Pendarovski.
Pendarovski u kërkoi qytetarëve që më 24 prill dhe 8 maj t’u thonë jo kundërkandidatëve të tjerë presidencial, që kërkojnë alternativa tjera në vend të anëtarësimit të plotë të vendit në BE dhe vlerësoi se rrugëtimi i RMV-së nuk duhet të drejtuar kah Azia, Rusia apo Kina.