Maqedoni

Zgjedhjet presidenciale 2024, Dimitrievski takon qytetarët e pjesës lindore

Kandidati për president nga Lëvizja “E dij”, Maksim Dimitrievski, aktivitetet parazgjedhore i ka vazhduar në takim me qytetarët e pjesës lindore të vendit, para të cilëve ka prezantuar programin e këtij subjekti garues për të parin e shtetit, të quajtur “Manifesti për Maqedoninë”. Dimitrievski platformën e tij e mbështet kryesisht në procesin  eurointegrues të vendit dhe ndryshimet kushtetuese. Thotë se integrimi evropian duhet patjetër të përfshijë ruajtjen e elementeve dhe interesave shtetërore, ndërkaq shprehet i mbyllur për avancimin e komunitetit shtetformues me emrin etnik në aktin më të lartë juridik.
“Në interes të përforcimit të besimit të ndërsjellë, në 200 ditët e para do të propozojmë ndryshime kushtetuese për përfshirjen e kroatëve, malazezëve dhe bullgarëve në preambulë me afat juridik të vazhduar që do të hyjnë në fuqi në momentin e njëjtë kur Republika e Maqedonisë do të bëhet anëtare fuqiplote e  Bashkimit Evropian dhe kur të gjithë anëtarët e saj do ta pranojnë këtë. Hapja e dialogut për propozime eventuale për ndryshime kushtetuese që do t’i referoheshin fshirjes së formulimit “gjuhën që e flasin 20% e qytetarëve” dhe ndryshimi i mënyrës aktuale të zgjedhjes së presidentit, për mua janë të papranueshme.”, – deklaroi Maksim Dimitrievski nga Lëvizja “E di”.
Dimitrievski është përcaktuar që fushata e tij të jetë e mbuluar më shumë me takime me qytetarë, ndërkaq paralajmëron mbajtjen e vetëm dy tubimeve të mëdha. Në orët e mbrëmjes, Dimitrievski vazhdon takimet me banorët e Vinicës dhe Koçanit./TVM2