Zgjedhjet parlamentare, 27 ankesa në KSHZ, nëse pranohen në pikëpyetje 5 mandate!
Partitë politike kanë dorëzuar 27 ankesa në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 8 majit. Vijon të rrjedh afati 72 orësh në të cilat, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve duhet të vendos për ankesat. Më së shumti ankesa ka dorëzuar koalicioni VLEN, gjithsej 10, ndërkaq më pas VMRO-DPMNE 8, LSDM 5 dhe E Majta 4.
Nga KSHZ për Alsat informojnë se ankesat e partive janë për disa njësi zgjedhore, në mbarë vendin.
“Ankesat e VLEN-it janë të gjitha në Njësinë Zgjedhore numër 6, respektivisht në vendvotimet në Tetovë, Gostivar, Zhelinë, Bogovinë dhe Vrapçisht. Ankesat e VMRO-DPMNE-së janë për vendvotimet në Ohër, Demir Hisar, Krushevë, Kërçovë, Strugë, Manastir, Dollnen dhe Resnjë. Ankesat e LSDM-së dhe koalicionit janë për Njësinë Zgjedhore numër 5, gjegjësisht për në Strugë, Manastir dhe Kërçovë. Ndërkaq ankesat e të Majtës për në Çair, Strugë dhe Gazi Babë”, thonë nga KSHZ, për ankesat e partive në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 8 majit.
Nga ky institucion kanë thënë për portalin Lideri.mk, se në bazë të kalkulimeve fillestare, në bazë të këtyre ankesave pikëpyetje hidhet mbi pesë mandate deputetësh.
“Deri të hënën, KSHZ duhet të vendosë nëse do t’i hedh poshtë, apo do t’i pranojë ankesat e partive. Në rast se rezultati i vendvotimeve të cilat janë objekt i ankesave, ndikon në rezultatin e përgjithshëm, KSHZ mund të kërkojë që të ketë rivotim”, njoftojnë nga KSHZ. /lideri