Opinion

Zgjedhjet e 9 Shkurtit, test për të ardhmen e Kosovës!

Shkruan: Milaim Nela
Duke mos qenë votues dhe shtetas i Kosovës jam kufizuar të përfshihem në fushatën zgjedhore të zgjedhjeve te 9 shkurtit në Kosovë. Por, si shqiptar, si Dardan në gjak, që Kosovën dhe interesin e saj e ka pasë gjithmonë në zemër nuk mund të rri pa i thënë dy fjalë në prag të këtyre zgjedhjeve.

Është një moment shumë i rëndësishëm për Kosovën sot, jo se zgjedhjet e mëparshme kanë qenë jo pak të rëndësishme por sot kemi disa specifika.

1. Kosova i zhvillon zgjedhjet në një kohë kur sistemi politik botëror është në tronditje të madhe aq sa duket se jemi në kohë ndarëse midis dy epokave.
Është në pikëpyetje jo vetëm fati i shteteve të vogla si Kosova apo edhe Shqipëria por nuk dihet as fati i vendeve shumë më të mëdha se tonat.
Për mua pavarësisht çfarë thuhet është në pikëpyetje edhe fati strukturave të tilla gjigante si NATO apo Bashkimi Europian.
Ajo që ngelet e pandryshuar është supremacia e Shteteve të Bashkuara në botë dhe ambicjet ekspansioniste të Rusisë në Europën Lindore dhe veçanërisht në Gadishullin tonë Ilirik.
Kosova ka qenë pjesë e ligjërimit të zëdhënëses së Kremlinit dhe bosëve të saj edhe në momentet më kritike të luftës Ruso-Ukrainase ligjërim ky që dëshmon interesat e pandryshuara ruse në këtë shtet të vogël!
Duket se bota po futet në një fazë krejt të re të ristrukturimit ekonomik, politik të saj e kjo krejt kuptueshëm duke patur parasysh degradimin e sistemit në të cilin akoma jemi e shpresoj jo për shumë kohë.
Kosovës i duhet të mbijetojë në këto rrethana krejt të reja e të cilat askush nuk i kishte menduar 4 vjet më parë.
Votuesit shqiptar të Kosovës i duhet të zgjedhë njerëzit e duhur që kanë aftësinë dhe besueshmërinë për ta udhëhequr atë në betejën e mbijetës së shtetit të ri deri sa të qetësohen dallgët e mëdha.

2. Në Kosovë për herë të parë zgjedhjet do të menaxhohen nga një Komision i Ri zgjedhor që ka barrën e madhe të mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta e të drejta.
Kosova asht shembulli i vetëm i mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta e asnjëherë të kontestueshme në Ballkan.
Kosova asht i vetmi vend që megjithëse asht shteti më i ri në Europë në aspektin e mbajtjes se zgjedhjeve asht realisht Europë e kjo mua si shqiptar më bën ta mbaj kryet lart. Do të doja me gjithë shpirt që ky trend të vazhdonte.

3. Kosova vjen në këto zgjedhje për herë të parë që nga viti 2000 kur një qeveri kompleton një mandat të rregullt.
Kjo qeverisje ndoshta nuk ka qenë ajo që shqiptarët kanë dashur të jetë por besoj unë jo rastësisht ka mbijetuar duke kompletuar një mandat të rregullt.
Qeveria Kurti sigurisht edhe ka bërë gabime por në këto 4 vjet përpos presionit krejt të padrejtë nga ndërkombëtarët për lëshime ndaj Serbisë nuk është përfolur për korrupsion galopant si qeverisjet e kaluara dhe në veriun e Kosovës ka bërë atë që ka qenë jashtë çdo imagjinate jo vetëm për qeveritë parardhëse por edhe për votuesin e zakonshëm.
Tani unë e di që në veri nuk është vendosur demokracia si në Belgjikë por atje bandat nuk dalin më hapur dhe serbët përpos presionit të Beogradit kanë bërë hapa domethënëse të integrimit në shtetin e Kosovës. Bandat kryesore ato që dilnin hapur në rrugë e kudo janë eleminuar.
Shteti paralel në masë të madhe është çmontuar. Një miku im gjatë vizitës time të fundit në Kosovë më tha: tani mund të shkojmë e pimë kafe në çdo cep të Veriut të Kosovës e nuk të trazon njeri. Kjo nuk është pak e kjo meritë i duhet njohur autoriteteve të Kosovës.
Albin Kurtit i duhet njohur merita që nuk u thye para negociatorëve dhe bullizimit të ndërkombëtarëve që qartazi në zemër e veprim kishin interesat e Serbisë.
Ai bëri një premtim për nënshkrimin e një marrëveshje me Serbinë në Ohër që për mua ishte gabim sa kohë që ajo marrëveshje parashikonte asociacionin e komunave me shumicë serbe. Tani nuk është më sekret se autori i këtij shkrimi është kundër çdo lloj asociacioni të çdo lloj forme.
Personalisht pas sulmit të bandave terroriste të shtetit serb në Banjskë jo vetëm qeveria e Kosoves por të gjithë faktorët politikë në Kosovë pavarësisht çfare ishte thënë e premtuar më parë duhet të dilnin me një qëndrim të prerë e të qartë që Kosova NUK do të pranonte më asnjë lloj forme Asociacioni në territorin e saj.
Kjo do të ju jepte edhe nje mesazh të qartë miqëve të Kosovës dhe të gjithë ndërkomtarëve për rrezikun e organizimeve të tilla në Kosovë.
Asociacioni nuk është “Asambli Shota”, por është prerogativë e ndarjes së Kosovës.

Ajo që realisht më ka zhgënjyer në këtë fushatë është mungesa e qartësisë së secilës parti politike rreth dialogut dhe qëndrimit ndaj Asociacionit.
Është shumë e rëndë për mua që 25 vjet pas çlirimit kur akoma Serbia ka varre masive të shqiptarëve brenda territorit të saj të shohim politikanë të Kosovës të thonë pa pikë droje se që ta përmbyllë marrëveshjen me Serbinë Kosova duhet të japë diçka!
Këtë nuk kam arritur ta kuptoj kurrë!
E dyta, asnjë nga liderët e partive të Kosovës apo kandidatët për kryeministër nuk na kanë thënë se deri në çfarë pike shkon dëgjueshmëria e tyre ndaj ndërkombëtarëve dhe veçanërisht ndaj Amerikës!?
A kanë ndonjë vijë të kuqe këta njerëz?
Deri ku shkon kjo jargavitje?
A e kujtojnë këta njerëz kur Amerika e Madhe i kërkonte Dr Rugovës të pranonte autonomi e asgjë më shumë për Kosovën? Çfarë përgjigje ju jepte ai?
Dhe Kosova nuk ishte shtet atëherë!
Sot e keni shtetin e doni të bëni lëshime vetëm për një karrige pushteti!
Ku po shkoni kështu?
Partitë opozitare dhe analistë me shumë gjasa të paguar kanë arritur deri atje sa ta portretizojnë Albin Kurtin si njeri të Serbisë.
Kjo për mua është jo vetëm e papranueshme por në realitet vrasëse për karrierën e tyre. Asnjë shqiptar me mend në krye nuk e beson këtë. Albin Kurti ka qindra difekte por këtë as nuk e beson e as nuk e ha njeri.
Duke qenë se kam miq në Kosovë nga të gjitha partitë kryesore do ti shpreh se ku janë problemet sipas meje te secilës prej tyre.

A) Vetëvendosja duhet të distancohet nga trashëgimia enveriste dhe nga celulat këshilluese të ardhura nga Tirana. Ata nuk i sjellin asnjë të mirë as VV-së e as Kosovës. Kjo është dëshmuar që nga 8 Nentori i vitit 1941.
Hiqni dorë nga internacionalizmi proletar kombëtar e ndërkombetar. Komunizmi dhe majtizmi shqiptar ka qenë kurdoherë vrasës i interesave shqiptare dhe Kosovës në veçanti. Kthejuni fakteve historike të hershme e të vonshme.
B) LDK është partia që ka një histori të lavdishme në trashëgiminë e saj dhe e lidhur me emrin e Ibrahim Rugovës themeluesit të shtetit të Kosovës. Ajo duhet të distancohet prerazi nga Fondacioni Soros dhe çdo element të Fondacionit Për Shoqëri Të Hapur.
Largojuni çfarëdo lidhjeje me këtë fondacion, me rilindjen sorosiane në Tiranë e sidomos me Edi Ramën dhe dishepujt e tij. Si mund të bashkëpunojë LDK e Ibrahim Rugovës me vasalët dhe bashkëpuntorët e Aleksandar Vuçiçit që nuk kanë lënë gur pa luajtur për rrënimin e Kosovës dhe kthimin e saj në Serbi!
C) PDK i ka dhënë shumë shtetndërtimit të Kosovës dhe brenda kësaj partie ka figura të pastra dhe me potencial për ta udhëhequr Kosovën në sfidat e saj por kjo parti e ka jetike tē distancohet njëherë e mirë e të pastrohet nga ‘klani vrasës i ROGNER-it’.
Mbi këtë klan famëkeq pavarësisht se nuk janë hetuar deri më sot rëndojnë krime të tmerrshme të vrasjeve politike si gjatë luftës ashtu edhe pas saj.
Nëse kjo parti nuk pastrohet nga kjo qelbësirë kurrë nuk do të jetë e pranueshme për zgjedhësin e Kosovës.
D) Duke qenë se AAK lidhet vetëm me një emër atë të Ramush Haradinajt dua ti them vetëm dy fjalë Rambos;
Lëre politikën se duket që nuk është specialieti yt e mos e njollos më atë kontribut e sakrificë që ju e familja juaj i ka dhënë Kosovës.
Për fund, sido që të votojë jam i sigurtë që shqiptari i Kosovës do votojê duke ndjekur instiktin e tij të pagabueshëm, instikt që nuk e ka lënë të gabojë asnjëherë qoftë përballë bajonetave të Millosheviçit qoftë sot përballë diplomatëve sharlatanë të Amerikës apo mangupëve mediatike të Kosovës.
Kosova nuk do na zhgënjejë edhe kësaj radhe.