Maqedoni

Zgjedhjet 2024, “Fronti Evropian” mbajti tubimin qendror në Shkup

“Fronti Evropian” ka mbajtur mbrëmë në Sheshin “Maqedonia” në Shkup tubimin qendror për zgjedhjet presidenciale, me ç’rast kandidati për president, Bujar Osmani, tha se pas kryeparlamentarit dhe kryeministrit shqiptar ka ardhur koha edhe për presidentin e parë shqiptar. Osmani njëherit theksoi se vendi ndodhet para një sfide, para dy opsioneve kundërthënëse, opsioni i izolimit, opsioni i dominimit etnik që kërkon 61 deputetë për të na përjashtuar të gjithë neve nga vendimmarrja. Është opsioni që dëshiron të ndal rrugën tonë të integrimit. Dhe sipas Osmanit e kemi opsionin tjetër të “Frontit Evropian”, vizionin për Maqedoninë e Veriut si vend i unitetit, vend i shpresës dhe vend i mundësive, besimi se po vijnë ditë më të mira për të gjithë, pasi siç tha ai, “Fronti Evropian” nuk i ndan popujt dhe partitë në të vegjël dhe të mëdhenj, pasi së bashku jemi më të fortë dhe më afër qëllimit, anëtarësimi i plotë në BE. Osmani u zotua se deri në vitin 2030 Maqedonia e Veriut do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

“Zotohem para jush për aleancë të pandarë me ShBA-në, zotohem për zgjedhje të presidentit në Kuvend me shumicë të dyfishtë. Zotohem për bord ndërkombëtar, për certifikimin e të gjithë bartësve publik për lidhje me Rusinë dhe korrupsion.”, – deklaroi kandidati për president, Bujar Osmani.

Të pranishmëve iu drejtua edhe bartësi i listës në njësinë e 5-të zgjedhore, Ziadin Sela, i cili lëshoi kritika në adresë të VMRO-DPMNE-së opozitare, për shkak të kërkesës që të marrë 61 deputetë, për t’i ndalur të drejtat e shqiptarëve dhe pakicave tjera. Por, sipas Selës, planet e Mickoskit me “Të Majtën” dhe disa kukulla te shqiptarët nuk do të realizohen.

“Nuk ka 61, do ta ndalim huxhumin tuaj, nga jeni nisur për t’i ndalur të drejtat e shqiptarëve, për t’i ndalur të drejtat e pakicave tjera.”, – theksoi bartësi i listës në njësinë e pestë zgjedhore, Ziadin Sela.

Nga tubimi në Shkup, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, me mesazh për kreun e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, që të ketë kujdes me fjalët që flet, pasi në Evropë nuk mund të shkojmë të ndarë, por të gjithë bashkë.

“Kristian, populli im thotë “Gur mbi gur bëhet kalaja, fjalë pas fjale nis belaja.”. Mos nis bela! Mos nis bela dhe mati fjalët se je i ri dhe të nxjerr buza tambël.”, – u shpreh kryetari i BDI-së, ALi Ahmeti.

Ahmeti njëherit theksoi se UÇK-ja nuk ka qenë forcë okupuese, por çlirimtare, që në këtë shtet shqiptarët të mos jenë argat, por zot në shtëpinë e vet. UÇK-ja është ajo që e bëri Maqedoninë, UÇK-ja është ajo që i bëri të gjithë me identitet e dinjitet edhe komunitetet më të vogla, turqit, romët, boshnjakët apo vllahët, theksoi nga sheshi “Maqedonia”, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti./TVM2