Zgjedhet Komisioni Verifikues, Kuvendi pritet të vazhdojë me punë
Në seancë marin pjesë presidentja Gordana Siljanovska Davkova, kryeministri Talat Xhaferi, ministra në qeverinë teknike, përfaqësues të institucioneve në shtet dhe të korit diplomatik.
Për kryetar të Komisionit Verifikues është zgjedhur Dafina Stojanovska, ndërsa për anëtarë Bllagica Llasovska, Daniela Nikollova, Diana Toska dhe Bekim Sali. Nga 117 deputetë të pranishëm, për këtë propozim votuan 100 nga deputetët, prej të cilëve 94 votuan “për”, ndërsa gjashtë ishin kundër, ndërsa të përmbajtur nuk kishte.
Deputeti Borislav Kërmov nga E majta, i cili votoi kundër këtij propozimi, ka reaguar për shkak se dy nga anëtarët e Komisionit për Verifikimin e Mandateve janë nga e njëjta parti politike, gjë që sipas tij nuk është në përputhje me Rregulloren e punës, e cila parashikon që deputetë të partive të ndryshme politike dhe njëri prej anëtarëve duhet të jetë nga E majta, si partia e katërt për nga numri i deputetëve.
“Ju e interpretoni fjalën ‘ndryshe’ si të njëjtë ose si përfaqësim proporcional ose si adekuate, që është term disi i paqartë dhe nga ky interpretim ju në fakt keni dëmtuar Të majtën për një anëtar të këtij komisioni, sepse është partia e katërt në Kuvend. Pra, që në fillim kemi filluar me praktika të këqija”, tha Kërmov.
Kryesuesja Kolçi Koxhaxhiku replikoi se zgjedhja e anëtarëve është konfirmuar dhe dakorduar në koordinim me koordinatorët e të gjitha partive politike.
Kolçi Koxhaxhiku në fillim të mbledhjes i emëroi deputetët Halil Snopçe dhe Bekim Sali për zëvendës të saj të cilët sipas nevojës do të mund ta zëvendësojnë si kryesues me seancën konstitutive.
Pas pauzës pritet që Kuvendi të vazhdojë me verifikimin e mandateve të deputetëve të rinj, zgjedhjen e Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Seanca konstituive, sipas Rregullores së re, zgjat maksimum tri ditë dhe Kuvendi konstituohet me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Sipas njoftimeve për kryetar të Kuvendit do të propozohet Afrim Gashi nga Alternativa, pjesë e koalicionit VLEN.
Kuvendi do të ketë 120 deputetë, por në seancë pritet të marrin pjesë vetëm 118 për shkak se mandatet e tyre tashmë janë konfirmuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe atyre u janë lëshuar certifikatat. Procedurat e ankimimit janë ende në vazhdim për dy mandate që u rivotuan të mërkurën e kaluar.
Në përbërjen e re parlamentare koalicioni “Maqedonia juaj” e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja ka më së shumti deputetë – 58, koalicioni “Për një të ardhme evropiane” të udhëhequr nga LSDM-ja ka 18 deputetë, koalicioni “Fronti Evropian” i udhëhequr nga BDI-ja ka po aq deputetë 18, koalicioni “Vlen” ka 14, “E majta” gjashtë dhe “ZNAM” gjashtë deputetë.
Procedurat e ankimimit për rivotimin e fundit në fshatin Llërcë të Zhelinës janë ende në vazhdim dhe nuk dihet nëse “Vlen” do ta mbajë këtë mandat. Për shkak të kandidimit për kryetar të Kuvendit, Afrim Gashi ka dhënë dorëheqje nga posti drejtues në Alternativa, e cila është pjesë e Koalicionit “Vlen”. Bilal Kasami, kryetari i Lëvizjes BESA, pjesë e këtij koalicioni dhe kryetar i Komunës së Tetovës, nga ana tjetër ka hequr dorë nga mandati i deputetit dhe ka kërkuar që në seancën e sotme të mos verifikohet.
Me këtë përbërje parlamentare fillon zbatimi i Rregullores së re të punës në Kuvend.