Zëri i luftës së UÇK-së në Maqedoni
SHKRUAN: VIOLETA ALLMUÇA
Është zëri i tij. Zëri i një luftëtari të luftës. Zëri i së vërtetës. Një model i thjeshtë i jetës njerëzore. Paqja dhe liria ishin ideali i tij. Për atë, kombi është betimi dhe religjioni i përjetshëm. Ai është apolitik. Iu përkushtua qëndresës.
L. Arnori ishte vetëm 20 vjeç kur u nis në luftë. Ai bën dialog me betejat e tij. Ndjehej krenar për shokët e tij të luftës, për plagën e tij, për gjakun e tij. Ai e fillon rrëfimin e luftës dhe pothuajse gjatë gjithë librit rrëfen për të vërtetën edhe kur i shfaqet errësira. Krenaria e tij ishte lufta tek “Pika e vdekjes”, aty ku krismat e para i silleshin rreth e rrotull trupit. Nuk trembej! Ishte betuar të luftonte për lirinë e barazinë e trojeve të tij. Kur mbinin lulëkuqet toka e stërgjyshit gjithmonë i ngjante e lyer me gjak. Këtë tokë ja kishin lënë amanet të parët, gjyshërit, babai, nëna. Ata ishin në sytë e tij, aty mes lulkuqeve, mes bukës e kripës. Ishin e shkuara e tij por edhe e ardhmja. Amaneti dhe derti ishte gjithçka. Ishte dhimbja e tij, forca e tij, lufta e tij. Por nuk ishte çudi që edhe e padrejtësia të ishte dhembja e tij. Nënat e kishin ngjyrën e shpirtit si pikat e lotit por djemtë e tyre luftonin të zgjoheshin në liri. Ata qëndronin në istikamet e zjarrit. Ishin bijtë e luftës! Ushtari dhe shokët e tij jepnin gjak për arteriet e zemrës së të parëve të tyre. L. Arnori plagën e trupit e përdor si një dëshmi të luftës së vërtetë, ndërsa koha vuan nga dezertorët, morali i huaj dhe ëndrrat zhgënjyese. Ca “Komandantë” kinse ishin në luftë, nuk shfaqeshin askund. Më vonë luftëtarët i shikonin ata nëpër kolltukët e shtetit. Historia e vërtetë ishte ndryshe. Luftën e vërtetë e bënë ata që kishin ideal interesin kombëtar të shqiptarëve në trojet e veta. Lufta e vërtetë është meritë e një gjenerate që do të luftonte për të drejtat e shqiptarëve.
Libri, “Rrëfimi i një ushtari të UÇK-së” paraqitur nga shkrimtari Nehat Jahiu me një gjuhë të zgjedhur e të figurshme, është mbështetur në rrëfime të sinqerta për jetën, dhe vjen si një rrëfim autentik mbi luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoninë e Veriut.