ZEQIRJA IBRAHIMI: ALI AHMETIT I KA PERËNDUAR KOHA, NUK E KA FUQINË E POTENCËN! ZNAM PARTI PERIFERIKE!
Shkup, 30 korrik – Kreu i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi në Daily Click në TV21 tha se BDI doli me idenë e rajonalizimit të shtetit pasi pasi humbi pushtetin, ai thotë se shteti nuk do të ndahet për shkak se këtë e dëshiron Ali Ahmeti. Ibrahimi i bëri thirrje BDI-së që të bëjë politika të mira, me të cilat mund të kthehet në pushtet.
“Humbin pushtetin, i humbin privilegjet e pushtetit, zhvatjes së pushtetit, i humbin mundësitë e abuzimit me institucionet e drejtësisë, duan të kërcënohen se do të kthehemi aty dhe se do e ndajmë shtetin, s’kalon kjo. Ali Ahmetit i ka perënduar koha, ai duhet ta dijë se i ka ardhur koha që të shkojë të rrijë me fëmijë e familjarëve të tij në Zajaz dhe nuk e ka as fuqinë e as potencën që të flasë për temat e këtilla. Ky shtet nuk do të ndahet sepse do Ali Ahmeti!”, tha Ibarhimi në Daily Click.
Ibrahimi: Për ne nuk është parti e rëndësishme ZNAM-i, është parti periferike
Kryetari i Alternativës, Zeqirja Ibrahimi tha se ZNAM është parti e parëndësishme dhe periferike që sipas tij, nuk është e rëndësishme se çfarë thonë dhe shtoi se temat që ata i diskutojnë, nuk i vënë para ndonjë detyrimi koalicionin VLEN, përcjell TV21.
“Për neve nuk është ZNAM fare parti e rëndësishme, ZNAM është një parti politike e vogël, periferike dhe nuk është fare e rëndësishme se çfarë thonë ata. Ata mund të flasin për çfarëdo çështje por kjo nuk na vë para asnjë detyrimi, qoftë për temën e flamurit, qoftë për tema të tjera”, tha Ibrahimi.
Ibrahimi: VLEN po shkon drejt unifikimit por nuk e di nëse përfundojmë si parti
Mundësia që VLEN të shndërrohet në një parti të vetme politike, nuk është mohuar prerazi as nga udhëheqësit e partive që përbëjnë këtë koalicion e për këtë, Zeqirja Ibrahimi tha se është mirë që të ketë unifikim dhe po shkojnë drejt asaj por nuk tha se nuk dihet nëse do të përfundojnë në një subjekt të përbashkët.
“Skena politike shqiptare nuk e duron numrin kaq të madh të partive politike. Nuk është e pamundur për një popull, elektorat i cili nëse arrinë 200 mijë vota t’i ketë, 7-8 parti t’i ketë është paksa shumë dhe në jemi të vetëdijshëm për këtë. E ndjemë që nga qytetarët shqiptarë ekziston një synim që të ketë një unifikm të partive politike, qoftë të atyre që janë atyre në opozitë ose të atyre në pushtet. Mendoj se duke qenë si VLEN në kuadër të qeverisë, sa më shumë që funksionojmë të ndarë aq më shumë jemi heterogje dhe kjo pastaj ka impikime edhe në temën e vendimarrjes andaj është mirë të krijohet një unifikim mes këtyre katër subjekteve që janë pjesë e Qeverisë”, tha Ibrahimi.
Ibrahimi: Ka deputetë të Frontit Europian që i vardisen Mickoskit, janë të gatshëm ta kalojnë gardhin
Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi në studion e Daily Click në TV21 tha se janë disa deputetë të Frontit Europian qe siç thotë ai, i vardisen dhe ia bëjnë me sy Mickoskit se duan të bëhën pjesë e shumicës, përcjell TV21.
“Ka deputetë të Frontit që i vardisen pushtetit dhe që ia bëjnë me sy Mickoskit se janë të gatshëm ta kalojnë gardhin. Mund të ketë edhe të LSDM-së por ka deputetë të Frontit Europian”, tha Ibrahimi.