Zanatçinjtë mbështesin bojkotin e marketeve
Oda e Zanatçinjve mbështet bojkotin e paralajmëruar të marketeve dhe u bën thirrje qytetarëve që të bëjnë një zgjedhje më të drejtë dhe të bëjnë pazar me zanatçinjtë e vegjël.
“Ne mbështesim plotësisht bojkotin e supermarketeve, megjithatë, apelojmë tek qytetarët sa herë që kanë mundësi të blejnë bukë, produkte të tjera ushqimore në furra, dyqane të tjera për të mbështetur prodhimin vendas. Në të njëjtën kohë kemi apeluar tek zejtarët që të ulin çmimet e produkteve të tyre”, tha kryetari i Odës së Zanatçinjëve, Agron Fazliji.
Fazliji thot gjithashtu se çmimet për bizneset e vogla dhe artizanët janë më të ulëta dhe më të aksesueshme për të gjithë. Të premten, çmimet te artizanët do të jenë dhjetë për qind më të ulëta për blerësit.
“Ky është një hap i vogël por i rëndësishëm për të treguar se ekonomia lokale mund të mbështesë qytetarët me çmime më të drejta dhe cilësi më të mirë. I bëj thirrje blerësve që sa herë të jetë e mundur të zgjedhin produkte nga artizanët e vegjël, jo vetëm gjatë bojkotit, por gjithmonë”, deklaroi Fazliji.