Zaev: Procesi i Berlinit ka arritur të çojë përpara bashkëpunimin rajonal ekonomik
Kryeministri i Maqedonisë Veriore Zoran Zaev deklaroi sot se procesi i Berlinit ka arritur të çojë përpara bashkëpunimin rajonal ekonomik.
Ai në samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili u hap nga kancelarja gjermane Angela Merkel, falënderoi BE për mbështetjen e procesit gjatë shtatë vjetëve të fundit.
“Procesi i Berlinit me të vërtetë ka arritur të lëvizë Ballkanin Perëndimor në drejtimin e duhur, sidomos në lidhje me bashkëpunimin rajonal ekonomik. Në këtë kontekst duke shikuar prapa kur dy vjet më parë vendosëm të ulnim çmimet e roaming në rajon, askush nuk mendonte se do të kishim rajon me tarifa zero të roaming. Ky sukses historik erdhi si rezultat i negociatave të gjata”, ka thënë Zaev.
Për më tepër, Zaev tha se vetëm me një rajon të integruar mund të lëvizet drejt anëtarësimit në BE.
“Padyshim, integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane duhet të jetë një rezultat i natyrshëm i rrugës së reformës në rajon dhe një shtyllë e paqes dhe stabilitetit afatgjatë. Ne ramë dakord që bashkëpunimi rajonal është një faktor kryesor, jo një zëvendësim për Ballkanin Perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE. Tregu i përbashkët rajonal është një shembull i suksesshëm i motivimit të rajonit për të filluar iniciativa të reja rajonale që synojnë afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e brendshëm të BE-së”, u shpreh Zaev.