Maqedoni

Zaev pa përgjigje konkrete për shkaqet e zjarrit në spitalin modular të Tetovës

Kryeministri Zoran Zaev i pyetur sot rreth shkaqeve të zjarrit që shpërtheu kohë më parë në spitalin Modular të Tetovës u shpreh se edhe ai është në pritje të rezultateve konkrete nga organet kompetente, që të mund të sjell vendim edhe rreth dorëheqjeve të ofruara nga ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe dhe zëvendësministri Ilir Hasani.

“Unë vërtet nuk mund të jap urdhra të ndonjë organi që nuk është nën pushtetin ekzekutiv, ajo është Prokuroria Publike, mund të apeloj që sa më shpejtë, menjëherë pas mbarimit të hetimit që të publikohet, por mund të kërkoj nga MPB-ja që ta shpallin deri tek qytetarët sepse po kalojnë javët dhe duhet të jepet përgjigje së pari për qytetarët dhe gjithsesi edhe për ne si qeveri dhe të mund të sjell edhe vendim për dorëheqjen e ministrit dhe zëvendësministrit. Një pjesë e forenzikës që ka bërë MPB-ja është dorëzuar në Prokurorinë Publike dhe presim që këto të shpallen së shpejti”, tha Zaev.

“Por pyetjet se kush është shkaku i zjarrit? Si ka ndodhur kjo dhe të gjitha detajet e ndërlidhura me momentin e shpërthimit të zjarrtit pres që të publikohen që të mund ta dinë qytetarët dhe opinioni, gjithsesi përmes ju media, por kjo do të jetë edhe baza siç thash për të sjell vendim lidhur me dorëheqjet e ofruara”, u shpreh Zaev.
Zjarri në spitalin modular të Tetovës ku mbetën të vdekur 14 persona, shpërtheu më 8 shtator.