Maqedoni

Xheladini: Mos të bëhen eksperimente me arsimin

Vendimi i Ministrisë së Arsimit që nga shtatori t’i dërgojë në histori ditarët klasik ka nxitur reagime të shumta të shoqatave të arsimtarëve. Megjithëse që nga hyrja në funksion e ditarëve elektronik prej disa vitesh arsimtarët kanë pasur vështirësi të plotësimeve të dyfishta në formë elektronike dhe në formë të dorëshkrimit në ditarë.

“Nuk do të thotë se jemi kundër teknologjisë dhe zhvillimeve bashkëkohore, por kjo mënyrë e ruajtës dhe administrimit të procesit edukativo-arsimor për te ne është ende pa kushte në Maqedoni. Besoj se do të reagojnë të gjithë institucionet arsimore dhe shoqatat e sektorit civil që mos të lejohet të hiqet nga përdorimi ditari klasik.- deklaroi Etem Xheladini, Ish-kryetar i LASH-it.

Xheladini thotë se shumica se arsimtarëve janë kundër notimit vetëm në mënyrë elektronike.

“Nuk mund ta arrijnë qëllimin për të cilin mendohet nga Ministria dhe ministrja aktuale dhe si duket ende nuk e kanë të qartë se nuk duhet të bëhet eksperimente me arsimin e sidomos me administratën që tanimë e kanë filluar me programet e ndryshme edukativo-arsimore që i provuan por nuk dolën të suksesshme dhe besoj se edhe kjo masa e fundit nuk do të ketë sukses.”- pohoi Etem Xheladini, Ish-kryetar i LASH-it.

Nga Ministria e Arsimit thonë se ky vendim është në vazhdën e reformave për digjitalizimi e procesit edukativ-arsimor në vend. Thonë se do të planifikojnë edhe mbështetjen teknologjik të arsimtarëve.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës

“MASH është e gatshme për fillimin e vitit të ri shkollor, por edhe për zbatimin e proceseve reformuese nga shtatori. Arsimi është shumë i rëndësishëm për vendin, identitetin, të ardhmen e vendit i cili synon drejt standardeve evropiane dhe pikërisht për këtë ne investojmë çdo ditë në proceset reformuese si dhe kushte të sigurta për mësim gjatë kohës së pandemisë.”

Për fillimin e vitit të ri shkollor nga shtatori, Ministria ka prezantuar tre skenarë. Për Carovskën më i pranueshëm është skenari me prezencë fizike të fëmijëve. Nëse ka ndonjë ndryshim drastik të gjendjes epidemiologjike, nga Ministria e Arsimit theksojnë se duhet të zbatohet skenari me një javë në shkollë një javë on line dhe skenari i tretë më pak i dëshiruar është që të kalojnë pjesën më të madhe të mësimdhënies online.

Përgatiti: Adnan Qaili